Analisti amerikan Janusz Bugajski ka thënë se asociacioni që po kërkohet aktualisht ia minon shtetësinë Kosovës. Ndërkohë, zyrtarë të lartë të partisë në pushtet e kanë mbrojtur qëndrimin e Qeverisë që Asociacioni të diskutohet pas njohjes nga Serbia. Derisa kryeministri Albin Kurti e ka krahasuar Asociacionin pa njohje si kafenë pa filxhan, përfaqësues të partive opozitare i kanë kërkuar ekzekutivit koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Kritika e rezerva për formimin e Asociacionit janë shprehur në prag të vizitës së emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.
Studiues i çështjeve të Ballkanit dhe gazetari amerikan, Janush Bugajski, në një intervistë për Geopost ka thënë se Asociacioni e minon Kosovën si shtet.
“Nisur nga ky kontekst, Asociacioni do të ofronte një mundësi më të thellë dhe më të gjerë për të minuar shtetësinë e Kosovës….Së pari, atyre u mungojnë garancitë e besueshme se institucionet e reja të Asociacionit nuk do të infiltrohen dhe dominohen nga agjentë apo aktivistë të dërguar apo të rekrutuar nga Serbia. Së dyti, nuk ka asnjë mekanizëm të paraparë që Qeveria e Kosovës ta pezullojë Asociacionin nëse liderët e tij shkelin Kushtetutën përmes diskriminimit etnik, ndarjes ose konfliktit në nivel komunal”, ka thënë Bugajski.
E kryeministri Albin Kurti e ka shpërndarë në Twitter intervistën e dhënë për televizionin shtetëror turk TRT, ku ai bëri krahasime të ngjashme si ato kur tha se Asociacioni para njohjes është si qerrja para kalit.
“E kam thënë këtë edhe më herët se kërkesa për Asociacion pa njohjen e Kosovës është sikur ta kërkosh kafen pa filxhan”, ka thënë Kurti.
Derisa burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar ardhjen e Lajçakut për të hënën, përfaqësues të tjerë të Vetëvendosjes kanë ironizuar duke thënë se çfarëdo asociacioni që bëhet për Kosovën do të bëhet edhe për Sllovakinë, prej ku është Lajçaku.
“Pse nuk ua njeh statusin e gjuhës zyrtare si serbishtja në Kosovë? Ata janë më shumë në përqindje se serbët në Kosovë. E pra, Sllovakia e Hungaria janë vende të BE-së dhe të NATO-s, dhe ja ku janë kur vjen puna te të drejtat e minoriteteve. Zoti Lajçak mbase mendon se meqë Kosova është e vogël, mund t’i imponohet asaj gjithçka, qoftë edhe padrejtësia e quajtur Zajednicë. Mirëpo çkado që i imponohet tash Kosovës sonë, nesër do t’i imponohet edhe Sllovakisë së tij”, ka thënë Arbër Zaimi, anëtar i Kryesisë së LVV-së.
Qasjen e Qeverisë e kanë kundërshtuar deputetët opozitarë që kërkuan nga ajo për këtë çështje të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara.
“Qeveria duhet të ketë alternativa, duhet të ruajë partneritetet me miqtë ndërkombëtarë, me SHBA-në dhe me BE-në. Duhet të jetë e sinqertë dhe transparente për qytetarët e Kosovës dhe jo të krijojë këso situatash dhe në fund të veprojë ndryshe. Mendoj se nuk është e sinqertë sa i përket Asociacionit qëndrimi i Kurtit”, ka thënë Hajdar Beqa i PDK-së.
“Pra, puna i mbetet kryeministrit, pasi ka 51%...Po ashtu, kryeministri duhet të ketë kujdes në raport me SHBA-në, sepse falë tyre ne jemi këtu. Ne si LDK e kemi përkrahur kryeministrin në proceset integruese, por gjithmonë ato procese kur kanë qenë në dakordim me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së.
“Me veprimet kryeneçe të tilla dhe me populizmat e tij nuk di ku dëshiron t’i çojë... Është propozuar një draft, Qeveria duhet të ulet, ta analizojë dhe duhet të shohë a është në frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe a preket Kushtetua…”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kohëve të fundit kanë shtuar presionin për themelimin e Asociacionit.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka insistuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet duke theksuar se nuk ka rrugë tjetër pos krijimit të tij.