Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parlamenti Studentor e quan të porositur vendimin e Gjykatës për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KD-së

Parlamenti Studentor e ka quajtur të porositur, tendencioz e të nxituar, vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka konstatuar se procesi i vjetshëm i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues (KD) të Universitetit të Prishtinës (UP) ishte i jashtëligjshëm.

“Marrë parasysh intensitetin e ulët të punës së Sistemit të Drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, për bindjen tonë ky aktgjykim është i porositur dhe rrjedhimisht i nxituar e tendencioz. Sidoqoftë, tendencat e grupeve të interesit, organizatave joqeveritare dhe akterëve të tjerë që të krijojnë jostabilitet në organet drejtuese të Universitetit vetëm sa vështirësojnë realizimin e punëve të mira dhe arritjen e objektivave të UP-së”, thuhet në një komunikatë të këtij Parlamenti.

Vendimi i Gjykatës është marr pasi ish-senatorët studentë paditën UP-në për mohim të së drejtës për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KD-së.

Image

Parlamenti Studentor ka kërkuar zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në UP dhe që Universiteti ta apelojë vendimin e Gjykatës.

“Derisa ne për asnjë moment nuk e kontestojmë të drejtën e votës së studentëve të rinj senatorë nisur nga praktikat e mëhershme, dinamika zgjedhore e përcaktuar nga KQZ-UP, parimi se të zgjedhurit e rinj votojnë mandatarët e rinj, vlerësojmë se ky aktgjykim duhet medeomos të apelohet nga ana e Universitetit të Prishtinës. Shqetësimi të cilin e kemi adresuar edhe më parë është mungesa e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjor si palë mbrojtëse e Universitetit, rikujtojmë këtu rastin skandaloz me Kishën Ortodokse serbe në Kampusin e UP-së. Prandaj, konsiderojmë që duhet të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj gjithë këtyre personave të papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë kërkuar që Ministria e Arsimit në bashkëpunim më Rektoratin t’i shpallin zgjedhjet.

Edhe Gjykata u jep të drejtë ish-studentëve senatorë, kërkohet dorëheqja e anëtarëve të KD-së dhe rektorit Arbëri Gjykata u jep të drejtë ish-studentëve senatorë, kërkohet dorëheqja e anëtarëve të KD-së dhe rektorit

“Përderisa vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinës (dt.14/08/2023) të apelohet, Parlamenti Studentor kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që në bashkëpunim me Rektoratin e UP-së të shpallin datën e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të Universitetit të Prishtinës meqenëse konsiderojmë se kjo situatë e krijuar i shërben vetëm atyre që realisht nuk e duan të mirën e universitetit kryesor publik në vend”.

“Pikë e veçantë e kërkesës sonë, të cilën do ta dorëzojmë edhe zyrtarisht në MASHTI e Rektorat, është zbatimi i vendimit që parasheh publikimin e punimeve të doktoratës për të gjithë anëtarët e stafit akademik dhe verifikimin e tyre për t'i pamundësuar shkelësve të çdo natyre që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre përbrenda Universitetit të Prishtinës pas zgjedhjeve të reja, njëkohësisht të parandalohet selektiviteti dhe shantazhet nga jashtë”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre kjo është rruga që duhet të ndiqet. “Pra, përjashtim për shkelësit dhe të papërgjegjshmit, zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, rikonfirmim i legjitimitetit nga instancat më të larta të drejtësisë. Kjo është rruga, zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Askush nuk duhet të frikësohet nga parimi themelor i demokracisë - zgjedhjet e lira”, thuhet në komunikatë.