Parlamenti Evropian ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.
420 deputetë kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër. 20 kanë abstenuar.
Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.
Mësohet se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.
Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.
Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Tanja Fajon, raportuesja për Kosovën, është shprehur e lumtur për këtë votim.
“Qytetarët e Kosovës një hap më afër lëvizjes pa viza në Evropë. E lumtur që kam marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian me një shumicë për negociatat me Këshillin Evropian për liberalizim vizash për Kosovën. Përballja vazhdon me qeveritë e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ndalem deri ta arrijmë”, ka shkruar Fajon në Twitter.
Lajmin e ka konfirmuar edhe ministrja për Integrimet Evropiane, Dhurata Hoxha. Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje të lirë.
“Lajme të mira! Pas kërkesës së Komitetit Parlamentar për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave. Kosova ka fituar mirënjohjen për punën e bërë në përmbushjen e kritereve për të lëvizur lirshëm, e që tani është vetëm një hap larg. Faleminderit të gjithë deputetëve”, ka shkruar ajo në Twitter.
Komisionari për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian për aprovimin e rekomandimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Drita e gjelbër e Parlamentit Evropain, për të nisur negociatat me Këshillin e Evropës për liberalizimin e vizave për Kosovën, e mirëpritur”, ka shkruar ai në Twitter.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, e ka uruar Kosovën pas vendimit në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave.
Përmes një postimi në “Twitter”, Soltes ka thënë se shpreson që edhe Këshilli i Evropës do të ndjekë shembullin e njëjtë.
“Urime qytetarëve të Kosovë. Tani jemi një hap më afër liberalizimit të vizave. Shpresoj që edhe Këshilli i Evropës do të ndjekë shembullin e njëjtë, qytetarët e Kosovës meritojnë mundësitë e njëjta”, ka shkruar Soltes në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen për të drejtën e lëvizjes së lirë për kosovarët.
“Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojnë me lobimin që procesi i liberalizimit të mbyllet brenda vitit 2018.
“Pas votimit pro nga Parlamenti Europian për liberalizimin e vizave, jemi edhe një hap më afër drejt lëvizjes së lirë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë lobimin që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti. Qytetarët tanë e meritojnë këtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar për miratimin, duke thënë se Kosova kaloi sfidën e radhës.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka përshëndetur vendimin e sotëm të Parlamentit Evropian për të aprovuar kërkesën për heqjen e vizave për Kosovën.
Votimin e ka përshëndetur edhe presidentit i vendit, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se për një periudhë të shkurtër kohore do të mbyllet krejt procesi dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm.
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur fitore të përbashkët votimin pro liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian.
“Sot Parlamenti Evropian votoi që qytetarët e Kosovës t’i barazojë me qytetarët tjerë evropian, që edhe ata të lëvizin lirë në vendet e Shengenit. Është kjo fitore jonë e përbashkët, e institucioneve të BE-së, e përmbushjes së kritereve nga shteti i Kosovës dhe e vetëdijesimit të atyre që kundërshtuan më shumë se dy vite ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Të shpresojmë por edhe të punojmë që edhe Këshilli I Ministrave të BE-së në të ardhmen e afërt të vendosë pozitivisht për liberalizimin e vizave. Këtë vendim e meritojnë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
