Arbëri

Parku i Gërmisë me shumë të hyra e pak mirëmbajtje

Parku më i madh i kryeqytetit ka mbetur thuajse i zbrazët qëkur bora ka mbuluar atë.

Janë vetëm qytetarët që rregullisht e përdorin atë për të ecur apo vrapuar, që po e frekuentojnë edhe në këtë kohë.

Megjithëse janë 11 punëtorë të “Hortikulturës” që kujdesën për mirëmbajtjen e parkut, lodrat dhe ulëset u mbuluan me borë, dhe shtegu i këmbësorëve të martën ishte i papastruar.

Si pasojë e kësaj qytetarët shfrytëzuan mesin e parkut për të ecur më lehtë nëpër të.

Ata po ankohen se nuk po mirëmbahet sa duhet, pavarësisht që secila veturë që hyn në parkun më të madh paguan nga 1 euro e që në vit janë mbi 200 mijë euro.

Në anën tjetër, menaxheri i Parkut të Gërmisë, Nazmi Canolli, thotë se ata gjatë tërë kohës janë duke punuar.

Sipas tij, pastrimi i tërësishëm është i vështir kur ka vazhdimisht reshje bore.

Ai thotë se i kanë të gjitha mjetet e nevojshme, porse për heqjen e borës nga trotuaret i përdorin lopatat.

Përveç 11 mirëmbajtësve, janë edhe 7 punëtorë të tjerë që bëjnë rojën e pyllit të Gërmisë, ndërsa dy të tjerë staf udhëheqës.