Përdorimi i taksive shpeshherë mund të konsiderohet si luks. Por, me një trafik të dendur si në Prishtinë, qytetarët thonë se përdorimi i tyre është i nevojshëm.
Në kohën kur janë ngritur çmimet e naftës dhe të produkteve ushqimore, Komuna e Prishtinës ka ardhur me një vendim edhe për ngritjen e çmimit startues për taksitë.
Nga 1.5 euro për 1.5 kilometra, nga java e kaluar çmimi i nisjes është bërë 2 euro, për 1.5 kilometër.
Ky vendim i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, erdhi në javën kur bëri 100 ditët e para të qeverisjes së tij.
Kjo nuk ka ndikuar në përdorimin e më paktë të tyre, thotë taksisti Ramiz Plaka.
“Për momentin nuk po vërehet. Disa janë në dijeni, ka qenë nëpër rrjetet sociale në media. Nëse nuk janë në dijeni, po e mirëkuptojnë”, ka thënë taksisti Plaka.
Kjo tarifë është rritur edhe për autotaksitë e Prishtinës, që operojnë në mënyrë private.
Autoksisti Afrim Krasniqi e sheh të nevojshme ngritjen e këtij çmimi, duke potencuar se, edhe nëse ulet çmimi i naftës, çmimi startues prej 2 eurove nuk duhet të ndryshohet.
“Kjo ka qenë e arsyeshme edhe më herët të bëhet. Ne operojmë prej 2001-tës në këtë profesion, kur ka qenë 0.75 centë çmimi i naftës, ne kemi operuar me 1.5 euro për 1.5 metër. Kompanitë i kanë ulë çmimet dhe kanë thënë se ne operojmë për 65 centë për një kilometër. Kjo është e mirëseardhur për neve. Është e arsyeshme, ia vlen. Nëse edhe në 1 euro bie nafta, ky çmim duhet të jetë, është tamam”, ka thënë Krasniqi.
Qytetarët janë kundër kësaj, në kohën kur çmimi i produkteve është ngritur shumë.
Sa i përket këtij vendimi, edhe opozita e sheh si jo të arsyeshme.
Sami Borovci nga AKR-ja thotë se duhet të kthehet çmim i tarifës së nisjes në 1.5 euro.
Por vetë kryetari Përparim Rama ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak të ngritjes së naftës. Në momentin që çmimi i naftës kthehet në gjendjen e mëhershme, do të rikthehet edhe tarifa startuese e mëparme.
“Është marrë vendimi për shkak të ngritjes së çmimit të naftës. Jemi në komunikim me taksitë. Në momentin kur bëhet zbritja, atëherë rishqyrtohet që të bëhet potencialisht zbritja e çmimeve në relacion me zbritjen e çmimeve të naftës”, ka thënë Rama.
Në javën kur bëri 100 ditë të para të punës së tij, kryetari Rama mori edhe një vendim tjetër.
Lirimi nga pagesa e përdorimit të trafikut urban, për Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave të Komunës së Prishtinës ishte vendimi me të cilën u mburr Komuna e Prishtinës.
Rama thotë se kjo do të ndikojë në lirimin e ngarkesës në “Trafikun Urban”.
Megjithatë, me ligj nxënësit e shkollave fillore shkojnë në shkollat e lagjeve të tyre, e në këtë mënyrë atyre nuk iu nevojitet përdorimi i transportit publik. Përderisa, sipas ligjit, Komuna e ka për detyrë të organizojë transport falas për ata nxënës që kanë shkollën mbi 4 kilometra larg shtëpisë.
Pavarësisht se nuk ka pasur ndonjë vendim deri më tani, “Trafiku Urban” e gjithashtu edhe transportuesit privatë në Prishtinë kanë liruar çdoherë nga pagesa policët e po ashtu edhe pjesëtarët e FSK-së.