Arbëri

Paralajmërohet dëshmi e një ndërkombëtari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në seancën e ardhshme të gjykimit në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe të Rexhepit, do të dëgjohet dëshmia e një dëshmitari ndërkombëtar.

Do të dëshmojë zyrtari i Human Rights Watch, Frederick Abrahams. 

Të martën u dëgjua dëshmia e Agim Idrizi, e pas pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, ai është shprehur se Enver Axhami dhe familjarë të tij e kanë rrahur atë.

Idrizi ka akuzuar Axhamin se në emër të UÇK-së, i ka rrahur të afërmit e tij. Megjithatë, ka treguar për problemet që kishin me familjen Axhami që para luftës, pastaj probleme për një tokë dhe akuza e kundër akuza në mes këtyre dy familjeve.


Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve thotë se ndalimi i tij u bë për arsye private

Dëshmitari i 21-të në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se ndalimi dhe arrestimi i tij është bërë për arsye private dhe se nuk është çështje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Agim Idrizi ka dëshmuar sot pa masa mbrojtëse.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, iu referua problemit me Enver Axhamin dhe Habib Kokën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai pohoi se në dëshmi të mëparshme kishte thënë se “unë nuk kisha gjë kundër UÇK-së apo shqiptarëve tjerë, kisha probleme vetëm me këta persona dhe ishte çështje private dhe jo çështje shtetërore” dhe “të gjithë e dinin se ishte problem toke dhe asnjë tjetër, e kanë marrë vesh krejt se krejt shkak i tokës u bo ky problem te unë”.

Tutje, përsëri u pajtua se kjo çështje nuk ishte çështje e UÇK-së “porse ishte problemi i tokës”.

Paraprakisht, ai sqaroi të tilla probleme duke thënë se “familja Axhami dhe Koka kishin përhapur gënjeshtra për të madje u pajtua se kidnapimi i tij është bërë dhe nxitur nga familja Axhami”.

Problemi sipas tij ishte se “kushëriri i tij, Qazim Bajrami ia kishte shitur tokën një fqinji Bajram Brutit, kurse atë tokë e kishte dashur Enver Axhami porse fillimisht nuk kishte pasur para, por që të njëjtat i kishte marrë te një person me emrin Sami Runeva dhe se me gjashtë persona ia kishin sjellë paratë në shtëpi Qazimit dhe kishin ikur”.

“I ka hi natën me gjashtë vetë, ia ka flug paratë n’shpi edhe ka ikë’’, tha dëshmitari.

Ai madje tha se “kur ishte arrestuar dhe ishte dërguar në “Bob”, ishte befasuar kur kishte parë Enver Axhamin duke e pritur dhe se ai kishte filluar menjëherë ta marrë në pyetje për pjesën e tokës”.

Idrizi tha se ajo tokë ishte në fshatin e tij në Lanishtë, rreth 7 ari tokë bujqësore por e papunuar, e që më pas pronari i ligjshëm i tokës e kishte punuar.

Ai tha se me Enverin dhe familjen e tij kishin tentuar “të pajtoheshin edhe përmes njerëzve të ngritur të Prishtinës edhe përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që ai s’kishte pranuar dhe i kishte sharë të gjithë”.

Dëshmitari shtoi “se kushëriri i tij kishte qenë një djalë, kurse Enveri kishte pasur edhe gjashtë vëllezër, andaj nuk kishte mundur t’i kthejë paratë dhe se ai edhe ashtu nuk i pranonte”.

Kurse, tha se me një shqiptar kishte shkuar tek një gjykatës në Prishtinë dhe kishte sqaruar situatën, kur më pas Qazimi dhe Bajrami kishin komunikuar me të për ta trajtuar çështjen tutje.

Më tej, ai mohoi edhe akuzën që “Enver Axhami i kishte bërë se kinse është spiun i Sali Brudës, duke sqaruar se me të kishte pasur kontakt vetëm kur kishte marrë disa drunj në mal duke menduar se janë të shtetit dhe se kur ishte lajmëruar ai se janë të tij, dëshmitari ishte pajtuar t’ia paguante”.

Ndërkaq, tha se ai e di se nga familja Axhani ia kanë vjedhur lopën me mëzatin, porse kurrë nuk i kishte lajmëruar në polici.

Në vazhdim, tha se familja Axhami kishin rrahur djalin e axhës së tij e edhe djalin e vëllait, porse policia nuk kishte marrë masa për këtë.

Idrizi tha se Enver Axhami dhe Habib Koka i kanë shkaktuar shumë dëme dhe i kanë vendosur emrin e tij në lista me qëllim për ta likuiduar se nuk e kanë dashur.

Lidhur me dëshminë e tij të mëparshme ku UNMIK-ut i kishte thënë se ka pasur 16 probleme/çështje dhe pas kësaj e ke bërë të qartë dhe UÇK-ja nuk kishte dijeni se Enveri e arrestoi në mes të natës dhe e merrte në pyetje, dëshmitari tha se ‘‘me pas ditë UÇK-ja i kish ra poshtë, nuk e kanë pa, m’ka mbajt në vëzhgim vetë pa prezencën e UÇK-së, ka dashtë me m’likuidu, mos me ditë kurrkush ku jam a ku s’jam’’.

Në vazhdim, dëshmitari është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit./BetimipërDrejtësi