Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Paralajmërohen vranësira e shi në Kosovë, rajoni me mot ekstrem

moti

Të shtunën dhe të dielën e 4 dhe 5 nëntorit do të mbajë mot i vranët e me reshje shiu, ka paralajmëruar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të premten, në kohën kur rajoni është prekur nga moti ekstrem që ka goditur disa shtete përreth.

Sipas IHMK-së, në Kosovë të shtunën do të ketë mot të vranët e me reshje shiu nga intensiteti mesatar deri tek intensiteti i lartë. Reshje më shumë do të ketë në juglindje dhe veriperëndim të vendit. Pjesët tjera parashihet të kenë reshje të intensitetit mesatar. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë celsius.

Të dielën do të ketë vranësira dhe diell. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius.

Të premten, Shqipëria, ishte një nga vendet e rajonit që u goditën prej stuhisë “Ciaran” që ka përfshirë disa zona të Evropës. Moti ekstrem po mbizotëron edhe në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi e në Maqedoni të Veriut.