Arbëri

Paralajmërimi i Kurtit për riformatim të Qeverisë shihet si urgjencë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është treguar i rreptë në fjalimin e tij para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ka folur për ministra e zëvendësministra mendjemëdhenj, që sillen si shefa që kanë dëshirë për të sunduar, e jo për të shërbyer. Ka folur edhe për mundësinë e riformatimit të Qeverisë. Ka kritikuar edhe deputetët dhe i ka paralajmëruar së nëse nuk e ndihmojnë Qeverinë, nuk do të jenë me deputetë. Për aktivistë të shoqërisë civile, nevoja për riformatim është urgjente, për shkak të ngecjes së disa ministrave

Me tone të ashpra ka folur kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, në drejtim të ministrave të tij e kabineteve të tyre.

Ka dhënë sinjale të forta për ndryshim të përbërjes, gjë që sipas tij, nuk është bërë deri tash për shkak të problemeve të tjera. Ka folur për politikanë mendjemëdhenj e të tillë që nuk kanë rezultate konkrete.

“Na duhet punë kolektive e ekipore, ku personat që e marrin një detyrë, dinë të punojnë pa krijuar probleme mes grupit për shkak të egove të tyre. Nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj. Kush e merr një pozitë në Qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat e zv.ministrat nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri të cilën e kemi përherë”, ka thënë Kurti.

Paralajmërimi për riformatim të Qeverisë, për drejtoreshën e organizatës FOL, Mexhide Demolli Nimani, është pasojë e dështimit të disa ministrave në rolin e tyre menaxherial.

“Si çdo Qeveri, edhe kjo mendoj që ka nevojë për riformatim, sidomos te disa ministri, ata që nuk janë treguar menaxherë të mirë, në rastin konkret është te Ministria e Shëndetësisë, por edhe ministra të tjerë që siç e ka thënë edhe kryeministri, arroganca dhe mendjemadhësia nuk duhet t’i shoqërojë, besoj që ka ministra të tillë edhe në këtë Qeveri”, ka thënë ajo.

Por kryeministri Kurti u mor edhe me deputetët e partisë së tij. Madje, ua përmendi mundësinë e mosfutjes në listë në zgjedhjet e ardhshme.

“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, ka thënë Kurti,

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë pasur qëndrim në linjë me partinë dhe kryeministrin Kurti për disa çështje. Një nga më të rëndësishmet është kundërshtimi i disa deputetëve të VV-së ndaj Kodit Civil.

Projektkodi Civil e definon martesën ndërmjet personave me gjini të ndryshme, si dhe në veçanti për Nenin 1138, paragrafi 2, i cili parasheh “bashkësitë e regjistruara civile me seks të njëjtë”. Kundër këtij projektkodi ishin 14 deputetë të VV-së, e kalimi i tij pas dështimit të mëhershëm, do të tentohet të bëhet në shtator.

Por për Demolli-Nimanin, kryeministri më mirë është të fokusohet në punën e secilit ministër, sepse deputetët për mospunë duhet të ndëshkohen në bazë të rregullores së Kuvendit, e jo nga Qeveria.

“Mendoj që deputetët duhet të ndëshkohen për mosprezencën e tyre për shkak të rregullores së Kuvendit, e jo të ndëshkohen nga Qeveria e kryeministri për shkak të mospunës së tyre, por unë mendoj që kryeministri duhet të jetë më aktiv në përcjelljen e punës së secilit ministër në punën e tyre që bëjmë, sepse ne e kemi përcjellë matjen e planit të punës për këtë 6 mujor dhe ka pasur shumë ministri që nuk e kanë kaluar 50 përqind të planit të punës së tyre, andaj duhet të ketë një fokus me të madh te vetë ekzekutivi, te vetë ministritë dhe të shohë se si po shkojnë punët nga plani që e kanë hartuar si Qeveri”, ka thënë Demolli-Nimani.

Pa u bërë ende dy vjet në Qeverinë Kurti 2, nga organizata vendore e njohës të fushave të caktuara ka shumë kritika në drejtim të ekzekutivit për mungesë të rezultateve konkrete.