Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

"Paraardhësit na bëjnë të ndihemi faqebardhë me strehimin e hebrenjve"

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar tragjedinë e madhe njerëzore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit.

Haradinaj ka thënë se “kujtojmë me përulje vuajtjet e një populli, të ngjashëm me shqiptarët për nga fati, që ua përcaktoi historia”.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, reflektojmë për tragjedinë e madhe njerëzore dhe kujtojmë me përulje vuajtjet e një populli, të ngjashëm me shqiptarët për nga fati, që ua përcaktoi historia. Me strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve, paraardhësit tanë edhe sot na bëjnë të ndihemi faqebardhë”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeparlamentari Kadri Veseli me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit ka kujtuar viktimat, si dhe pjesëtarët e kombit shqiptar që mbrojtën qindra familje hebreje nga nazizmi.

“Në ditën e përkujtimit ndërkombëtar të Holokaustit, Kosova nderon kujtimin e miliona viktimave të ideologjisë naziste. Njëkohësisht kujtojmë burrat dhe gratë e kombit tonë që gjetën forcë e guxim për t’i mbrojtur qindra familje hebreje nga persekutimi nazist. Ne ndihemi krenarë që jemi pasardhës të këtyre heronjve të solidaritetit e shpresës njerëzore. Ne jemi krenarë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila është lëvizja e fundit antifashiste në historinë evropiane të Shekullit XX”, ka shkruar Veseli.

Edhe Holokausti – e kaluara që kujtohet për të mos u përsëritur Kulturë Holokausti – e kaluara që kujtohet për të mos u përsëritur

‪Edhe zëvendësministri Enver Hoxhaj, ka thënë se “sot kujtojmë miliona njerëz të cilëve iu morën jetët në një faqe të errët të historisë së njerëzimit”.

“Kujtimi i Holokaustit dhe secila histori që del nga kjo ngjarje tmerri duhet të na shërbejë si mësim që të angazhohemi për barazi, tolerancë e mirëkuptim, që tragjedi të tilla njerëzore të mos ndodhin më kurrë. Kosova është krenare me popullin e saj që rrezikuan jetën dhe familjet e tyre, për t’i strehuar dhe shpëtuar shumë familje herbeje”.