Kosova ka qenë temë kryesore në konferencën e së shtunës të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ky adresim i tij ka ardhur gjashtë ditë para takimit paralajmëruar në Bruksel, me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ku do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, raporton KTV.
Aty, Vuçiqi ka thënë se “do të vazhdojë bisedimet me shqiptarët” për gjetjen e një kompromisi për Kosovën, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.
Vuçiqi ka fajësuar BE-në për vonesat në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Presidenti serb u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij që të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Madje ai ka akuzuar, ato që i ka quajtur “autoritete në Prishtinë”, se po u japin ryshfet të rinjve serbë për t’iu bashkuar “ushtrisë së Kosovës”.
Edhe
Serbia me ekip që do të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE
Ndërkohë, në zyrën e presidentit Thaçi, të shtunën nuk kanë dhënë detaje për temat që do të diskutohen në Bruksel më 23 mars.
Paraprakisht, tri ditë me radhë, nga e hëna deri të mërkurën, do të zhvillohet dialogu në nivel teknik mes të të dyja shteteve.
Shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, përmes telefonit, ka thënë se temë diskutimi në këto bisedime do të jenë: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ura kryesore mbi lumin Ibër, lëvizja e lirë dhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve.