Papa Françesku ka përmendur shembullin e Kosovës kur është folur për situatën e Spanjës me Katalonjën e cila po ashtu kërkon shpalljen shtet në vete. Në një intervistë për radion spanjolle “Copa”, Papa ka thënë se Spanja duhet të pajtohet me historinë e saj, sidomos atë të shekullit të shkuar kur bëhet fjalë për Katalonjën.
Ai ka marrë shembull Kosovën, që Vatikani nuk e njeh, si vend ku janë shmangur telashet.
“Nuk e di nëse Spanja është pajtuar plotësisht me historinë e saj, sidomos me historinë e shekullit të kaluar. Dhe nëse jo, mendoj se është koha të bëhet një hap pajtimi me historinë e vet, që nuk do të thotë tërheqje nga pozicionimet, por hyrje në një proces dialogu dhe pajtimi; dhe, mbi të gjitha, largim nga ideologjitë, që janë të vetmet që parandalojnë çdo lloj pajtimi”, ka thënë ai duke shtuar se “ideologjitë shkatërrojnë”.
Papa tutje ka thënë se “uniteti kombëtar” është shprehje mahnitëse, por kurrë s’do të ketë vlerë pa pajtimin e vërtetë të popullit.
Duke porositur Qeverinë e Spanjës të marrë hapa pajtimi dhe të përpiqet të ecën përpara “sikur vëllezërit, e jo armiqtë”, Papa ka kujtuar procese tjera të pavarësimit në Evropë.
Edhe
Parlamenti i Spanjës nesër diskuton propozimin për njohje të Kosovës
“Shikoni Kosovën dhe të gjithë zonën atje që po rindërtohet. Këto janë ngjarje historike që karakterizohen nga një seri veçorish. Në rastin e Spanjës, topi është te ju, spanjollët duhet të gjykojnë”, ka deklaruar ai.
Parlamenti i Katalonjës në tetor të 2017-s votoi pro pavarësisë nga Spanja. Në të njëjtën kohë, senati spanjoll votoi për të marrë nën kontroll institucionet katalonase deri në zgjedhjet e reja. Liderët rajonalë u arrestuan, ndërsa më 2019 Qeveria e re e Spanjës u pajtua për takime negociuese me katalonjasit.