Arbëri

Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

Ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj.

“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj”, ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pantiq ishte pjesë e Policisë së Kosovës deri në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisi institucionet së bashku me serbët e tjerë në veri të Kosovës.

Ai u arrestua një muaj më vonë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa akuzohet për “terrorizëm në bashkëkryerje”. Ai akuzohet për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre të komisionit zgjedhor.