Këtë muaj është dashur që të përfundonin punimet e fazës së parë të projektit për ndërtimin e sheshit të qytetit të Pejës, që parasheh rindërtimin e pjesës qendrore të sheshit “Skënderbeu” deri te rruga që shkon për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe shtrimin e tij me kalldrëm italian.
Mirëpo ende nuk është shtruar as edhe një gur kalldrëmi, ndonëse qe dhjetë ditë me masat lehtësuese të Qeverisë janë lejuar edhe punimet ndërtimore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVazhdimi i punimeve në këtë shesh ka mbetur pengë e pandemisë, e cila po ia pamundëson punëkryerësit nga Gjermania për t’i vazhduar punimet.
“Punëkryerësi ka ekipin e punëtorëve për të vendosur kalldrëmin, të cilët duhet të vijnë prej Gjermanisë. Janë dy ekipe nga tre veta. Kanë pasë me ardhë para pandemisë, por me ndalimin e fluturimeve nuk kanë mundur. Pritet që kur të hapet mundësia e qarkullimit, pra prej Gjermanisë me ardhë këto dy ekipet me vazhdua punimet”, ka thënë për KOHËN, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kalldrëmi i sjellë nga Italia është i pamjaftueshëm për ta mbuluar tërë hapësirën qendrore të sheshit “Skënderbeu”. Pjesa tjetër pritet të vijë pas përfundimit të pandemisë.
Për fazën e parë të projektit që kap vlerën e 519 mijë eurove, tashmë të gjitha mjetet janë siguruar thotë drejtori i Financave, Jeton Abazaj.
Megjithatë, shtrimi i sheshit prej shtatores “Nëna Terezë” e deri në krye të korzos nuk është planifikuar të punohet, për shkak edhe të disa ndërtimeve në prona private anën e djathtë të korozos.
“Në pjesën mbrapa meje nuk është planifikuar që të fillojnë punimet sivjet, as financiarisht e as si projekt. Kjo do të planifikohet vitin e ardhshëm. Për arsye se do të ketë punime, por edhe se nuk janë të përfunduara të gjitha procedurat e shpronësimeve dhe këmbimeve të mundshme”, ka thënë drejtori i Financave në këtë komunë, Jeton Abazaj.
I tërë sheshi i qytetit të Pejës është rindërtuar herën e fundit në vitin 2011 me projektin në vlerë prej 300 mijë eurosh të bashkëfinancuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, UN HABITAT-it dhe organizatës suedeze SIDA.
Mirëpo, pllakat e mermerta me trashësi prej 3 centimetrash, të destinuara vetëm për këmbësorë, janë dëmtuar pas një kohe të shkurtër prej frekuentimit të vazhdueshëm të automjeteve në shesh.