Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Serbia përfaqësohet nga Bërnabiqi në Procesin e Berlinit, kjo tregon se Vuçiqi ka frikë nga presionet

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se të enjten do të nënshkruhen disa marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat do ta ringjallin këtë nismë, e cila lë në plan të dytë iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Palokaj ka thënë se vetë fakti që Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq dhe jo nga presidenti Aleksandar Vuçiq, tregon se ai ka frikë nga presionet që mund t’i bëhen atje.

“Ajo që është e rëndësishme, nesër do të nënshkruhen disa marrëveshje që do ta ringjallin procesin e Berlinit, është me rëndësi të veçantë që po zhvillohet samiti i parë prej kur kancelar i Gjermanisë është bërë Olaf Scholz. Kjo do të thotë se në plan të dytë do të jetë iniciativa Ballkani i Hapur, sepse nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve që do të mundësojnë lirinë e lëvizjes me vetëm letërnjoftime mes vendeve të rajonit, po ashtu njohja e diplomave dhe kualifikimeve është hap drejt ideve që i ka pasur edhe Ballkani Perëndimor, gjegjësisht ideja e Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai. “Vetë fakti që Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja dhe jo nga presidenti Vuçiq, shihet se ai ndoshta ka pasur frikë nga presionet që do t’i bëheshin atje. Por presioni ndaj Serbisë është i dyfishtë, së pari është për përparim në dialog për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën dhe presion më i madh është edhe për t’u përshtatur me politikën e BE-së sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë”, është shprehur Palokaj.

Në këtë proces ku të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian dhe Ursula von der Leyen, Palokaj ka thënë se dallimi midis tij dhe proceseve tjera është që Kosova merr pjesë si shtet, ndërsa në nismat tjera jo.

“Prandaj ky proces është inkluziv dhe ka një rëndësi të veçantë duke e marrë parasysh se Gjermania qëndron prapa këtij procesi”, ka shtuar ai.

Edhe Palokaj: Kosova duhet të ketë kujdes me “Ballkanin e Hapur” Arbëri Palokaj: Kosova duhet të ketë kujdes me “Ballkanin e Hapur”

Palokaj ka theksuar se ndonëse situata që është krijuar së fundmi midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave nuk është temë që formalisht do të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, megjithatë mund të diskutohet për shkak se flitet për një proces që ka për synim bashkëpunimin rajonal.

“Ndonëse ato nuk janë tema që janë formalisht pjesë e procesit të Berlinit, por vetë bashkëpunimi rajonal nënkupton ulje të tensioneve dhe zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura deri më tash në mënyrë që mos të ketë tensione në të ardhmen që mund të përshkallëzohen. Mund të ketë edhe përsëritje të thirrjeve për Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë më shumë për dialogun, por formalisht Procesi i Berlinit nuk e ka brenda vetes dialogun mes Kosovës dhe Serbisë por e ka bashkëpunimit rajonal mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.