Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Pritet presion ndaj Kosovës për përfaqësim të nivelit politik për çështjen e dinarit

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se pritet të ketë presion ndaj palës kosovare që të kërkohet zgjidhje në nivel politik për çështjen e dinarit.

Pas takimeve të së martës në Bruksel të palës kosovare dhe asaj serbe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në lidhje me këtë çështje, Palokaj ka thënë se është e mundshme që Kosovës t’i kërkohet përfaqësim i nivelit politik në takimet e ardhshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është e mundur që Kosovës t’i kërkohet përfaqësim i nivelit politik në takimet e ardhshme sa i përket kësaj çështje. Këtu kemi një dallim të madh në mes të qëndrimeve të Kosovës që insiston se është një vendim i pavarur i BQK-së, mirëpo edhe SHBA-ja dhe BE-ja mendojnë se edhe për këtë forumi ku duhet të kërkohet zgjidhja është dialogu në Bruksel dhe këtu tash mund të pritet presion ndaj palës kosovare që në nivel politik të kërkohet zgjidhja për këtë çështje”, ka thënë ai në një lidhje direkte për “60 Minuta” të KTV-së.

Palokaj ka shtuar se nga takimet e së martës nuk ka pasur rezultate konkrete.

“Së pari i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka pasur takime të ndara, fillimisht me delegacionin e Serbisë që ishte delegacion i kombinuar e më pas me delegacionin nga Kosova që nuk ishte delegacion i zakonshëm në kuadër të dialogut. Më pas u organizua një takim i përbashkët që u quajt takim i ekspertëve financiarë. Ndonëse BE-ja e konsideron këtë takim në kuadër të dialogut, pala kosovare insiston që nuk ishin takime të dialogut, jo të nivelit politik, as negociata, as bisedime, por vetëm takime ekspertësh, ku BQK-ja sqaroi mundësitë teknike për ta zbatuar Rregulloren”, është shprehur ai.

Ai më tej ka njoftuar se përfaqësuesi i Serbisë në këto takime, i cili është edhe kryenegociator, Petar Petkoviq, nuk ka marrë pjesë në takimin me përfaqësuesin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Përfaqësuesi i Serbisë në këto takime, i cili thuhet se nuk ka marrë pjesë në takimin me përfaqësuesin e Bankës Qendrore të Kosovës, Petar Petkoviq, ka kritikuar Kosovën për këtë vendim, duke përsëritur qëndrimet që janë dëgjuar shpesh nga Serbia se Kurti me vendime të tilla ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova”, ka theksuar ai.

Sipas Palokajt, ka një dështim total sa i përket implementimit të çfarëdo pike të Marrëveshjes së Brukselit, për çka BE-ja ua bartë fajin palëve.

“Është e qartë se kemi jo vetëm ngecje, por një dështim total për të implementuar çfarëdo pike të kësaj marrëveshjeje. Në këtë përvjetor Bashkimi Evropian e pranon dhe shprehet i qartë se nuk ka pasur implementim të duhur, por për këtë krejtësisht ua ka bartur fajin palëve dhe tenton ta amnistojë veten nga përgjegjësia për dështim”, ka thënë ai.