Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, i ka quajtur vetëm euforikë zërat që Ukraina dhe disa shtete të tjera, përfshirë Kosovën, mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian në procedurë të përshpejtuar, për shkak të luftës që ka nisur Rusia në Ukrainë. Sipas tij, interesi i BE-së është ruajtja e stabilitetit dhe pas kthimit në normalitet, do të kthehet edhe “procesi i zgjatur” i zgjerimit.
“Nga euforia për pranim kemi ardhur te deklarata që s’merret asnjë obligim pos porosia politike se populli heroik i Ukrainës i takon familjes evropiane. Jo obligim formal për t’ia dhënë statusin”, ka thënë Palokaj. “Interesi është stabiliteti para së gjithash, dhe edhe nëse jepen premtime, ato kanë synim vetëm rritje të stabilitetit... Sapo të reduktohet rreziku, BE-ja kthehet në binare burokratike. Kthehet grindja mes shteteve anëtare sa i përket procesit të zgjerimit”.
Vizitën që ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ua bëri vendeve të Ballkanit Perëndimor, e që s’janë pjesë e NATO-s, përfshirë Kosovën, Palokaj e ka parë si shprehje të shqetësimit për siguri. Ai ka thënë se Brukseli dhe e gjithë bota, për shkak të krizës në Ukrainë, kanë frikë për përshkallëzim të mëtejmë dhe se kjo ka bërë që të rritet kujdesi i BE-së dhe i NATO-s.
“Edhe nga BE-ja dhe NATO-ja është parë si vizitë e qëlluar në kohë të duhur për të porositur se do të ketë kujdes të veçantë që të ruhet siguria dhe stabiliteti në kohën e ndryshimit dramatik në rrethanat e skenës ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, Gjermania me qeverinë e re ka qasje më në favor për zgjerim të BE-së, por brenda BE-së s’ka lëvizje të mëdha.
Ai ka thënë se premtimi për zgjerim të shpejtë të BE-së do të ishte vetëm një “zhgënjim i ri”.
Edhe BE-ja me gjithë sanksionet e padrejta ndaj Kosovës nuk i ka kthyer kosovarët kundër sajPalokaj ka thënë se Kosova s’mund të presë rrugë të shpejtë për integrim në BE pa aplikuar fare.
“Kosova duhet të caktojë agjendë e jo të shkojë në takime të shohë pulsin se si do të veprohet nëse reagojmë, por ende s’kemi lëvizur dhe s’jemi formalisht në procesin e zgjerimit sepse s’kemi kërkuar anëtarësim”, ka shtuar ai.
Palokaj ka thënë se nuk pret që të shtohet presioni ndaj Serbisë për të arritur marrëveshjen përfundimtare në dialogun me Kosovën, për shkak se “Perëndimi është i zënë me Rusinë”.