Korrespodenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se nëse është e vërtetë që Gjermania është autore e këtij Drafti, atëherë Qeveria duhet ta shqyrtojë këtë propozim.
Sipas tij, përveç qëndrimit të BE-së për këtë dokument, duhet pritur edhe qëndrimi i palës serbe.
“Në BE ka pasur hezitime të shprehen se si do të huhet të jetë zbatimi i kësaj pjese të marrëveshjes, a duhet të jetë apo jo në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përmendja e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës në propozim e bën propozimin më të pranueshëm për palën kosovare. Gjithsesi, duhen para po ashtu se si do të përgjigjet pala serbe ndaj propozimeve të tilla, pasi që deri tash Serbia dhe serbët e Kosovës kanë refuzuar të pranojnë diçka që do të ishte sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.
Një propozim i qarqeve perëndimore për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është duke qarkulluar me titullin “drafti gjerman”.
KOHA ka siguruar qasje në të.
Sipas këtij drafti, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Drafti i cili përmban 17 nene parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi. Një vit pas funksionalizimit, statuti i tij mund të shqyrtohet nga Qeveria. Sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit.
Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.