Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se në gjashtë mujorin e parë të 2022-s, mund të pritet një lëvizje sa i takon liberalizimit të vizave, duke theksuar se shteti hezitues, Franca, i ka zgjedhjet parlamentare dhe mund të ndryshojnë gjërat.
Palokaj deklaroi për KTV-në se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për procesin e liberalizimit të vizave, dhe se kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, ato që ka kërkuar Komisioni Evropian. Parlamenti Evropian ka mbështetur rekomandimin që të hiqen vizat, por s’ka pasur tentim në Këshillin Evropian, e aty vendosin shtetet anëtare. Kosovarët s’mund të krijojnë pritje të mëdha pas kërkesës së Parlamentit sepse e kemi parë që kjo nuk ndodhë”, deklaroi ai.
Palokaj theksoi se Franca do ta ketë kryesimin e radhës në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim mund të ketë lëvizje.
“Kemi parë se Gjermania është shprehur në favor të liberalizimit para më shumë se një viti, edhe nëse Franca do të jetë, atëherë gjasat në vitin që vjen do të jenë të paktën më të mëdha. Në anën tjetër, kemi zgjedhjet presidencialet në Francë në pranverë. Unë besoj se pas këtyre zgjedhjeve, mund të ketë një lëvizje, që vitin e ri që vjen, ndoshta do të na e sjellë liberalizimin e vizave”, shtoi Palokaj, duke përmendur se Kosova gjithnjë e ka pasur përkrahjen e Parlamentit Evropian.
“Kosova ka mbështetjen e Parlamentit. E ka pasur gjithmonë madje edhe para se të shpallej pavarësia, Parlamenti kishte miratuar një rezolutë në të cilën bënte ftesë që Kosova të jetë shtet i pavarur me një pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Prej atëherë, Parlamenti secilin vit përsërit kërkesën për 5 shtetet, që ta njohin Kosovën. Duhet ta kuptojmë se Parlamenti është nga institucionet ku vendimet merren me parime të demokracisë, e parimi nuk është konsensusi por shumica. E shumica në Parlament gjithmonë ka ekzistuar në favor të Kosovës. Në anën tjetër, në Këshill vendimet për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe zgjerimin, miratohen me konsensusin e vendeve anëtare. Nëse ka edhe një vend kur pavarësisë, atëherë BE-ja s’mund ta njeh Kosovën si shtet. Jemi në situatë kur 5 shtete s’e kanë njohur Kosovën”, deklaroi tutje.
Edhe
Palokaj: Deri në fund të vitit besoj që do të kalojë vendimi për liberalizim të vizave
Palokaj ka theksuar se edhe nëse Kosova nuk merr dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, lufta ndaj krimit e korrupsionit duhet të vazhdojë, sidomos në nivelin e lartë.
“Mënyra për ta bindur Francën se Kosova po lufton krimin, është që të ketë dënime të plotfuqishme të gjykatave të Kosovës, përfshirë edhe konfiskim të pasurisë që është krijuar në mënyrë të paligjshme. Duhet të vazhdojmë edhe angazhimin diplomatik të Kosovës, përmes shteteve mike. Këtu roli i Gjermanisë duhej të ishte pak më i madh. Nuk mjafton një Gjermani që mbështet liberalizmin, duhet një Gjermani që do të punojë për t’i bindur edhe vendet tjera hezituese. Në këtë mënyrë mund të rriten gjasat edhe të ndodhë liberalizimi i vizave”, shtoi Palokaj.