Prishtinë, 23 tetor - Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me nënkryetarët, z. Agim Veliu e z. Lutfi Haziri dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, z. Avdullah Hoti, janë takuar sot me z. Matthew Palmer, zëvendës ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, dhe znj. Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Bëhet e ditur se kryetari i LDK-së, Mustafa bisedoi me diplomatët amerikanë për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, qëndrimet e LDK-së dhe për përkrahjen e shtetit amerikan për Kosovën.
“Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Z. Matthew Palmer, pasi e falënderoi kryetarin Mustafa për pritjen, e inkurajoi LDK-në të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës.
Ai, po ashtu, theksoi përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha fushat.