Dastid Pallaska, njohës i çështjeve juridike, ka kritikuar iniciativën për ndryshime të Kodit Penal për fyerje dhe shpifje.
Sipas draftligjit të siguruar nga KTV-ja, një nga ndryshimet parashihet të jetë që çdo fyerje dhe shpifje ndaj roleve kryesore shtetërore si ajo e presidentit dënohet me burgim. Në nenin 134 thuhet: “Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara, shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese ose një prej anëtarëve të tyre, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet”.
“E kam dëgjuar presidentin Thaçi që flet për ndryshimet në Kodin Penal qysh moti dhe kam shpresuar që ideja është për ashpërsinë në luftën kundër korrupsionit dhe kurrë s’kam besuar që është qëllimi i mbrojtjes së pozitës së vet dhe pozitave kryesore. Aq më pak që këtë model e marrim nga një vend që ka president Erdoganin”, ka thënë Pallaska në Interaktiv të KTV-së.
Ai thotë se Kosova në këtë rast po ndjek presidentin e vetëm në botë që përdor dispozita të tilla. “Mendoj që po e ndjekim Erdoganin sepse ai është i vetmi politikan në botë që është në gjendje të përdorë një dispozitë të tillë. Nëse ky është model, është definitivisht jo model turk, por i një regjimi të caktuar të presidentit Erdogan”.
Këto ndryshime Pallaska thotë se nuk se kanë vend në Kosovë edhe pse vlerëson se ka shumë probleme me shpifjet dhe fyerjet.
Pallaska po ashtu vlerëson se në Kosovë qytetarët nuk do të lejojnë që të ketë regjim që shtyp fjalën e lirë.
“Shpresoj që presioni publik nuk do të lejojë që të ketë regjim që shtyp fjalën e lirë me mjetet e dhunshme juridike. Dikush mund të përfundojë në burg për një shprehje të mendimit, po aq sa askush nuk dëshiron anarki të plotë ku gjykatat nuk dënojnë shpifjet”, ka shtuar më tej ai.