Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli: Serbia e BeH duhet ta korrigjojnë kompasin e prishur politik

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, me të cilin ka biseduar edhe për bashkëpunime mes dy vendeve.

“Sot prita në një takim shumë miqësor homologun tim, Sërgjan Darmanoviq, në kryesim të delegacionit shtetëror nga Mali i Zi. Diskutuam agjendën e ngjeshur të çështjeve me interes reciprok dhe për rajonin, sikurse janë bashkëpunimi ekonomik, përkrahja në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çështje të bashkëpunimit diplomatik në rrafshin ndërkombëtar, dhe atë të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Jemi dy vende që dimë si t'i qasemi bashkëpunimit dhe jemi në avantazh, sepse nuk kemi asnjë çështje të hapur”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli thotë se “ndihet i inkurajuar me qëndrimin e homologut malazez, i cili sugjeron që përmbyllja e dialogut me Serbi duhet të përfundoj me njohje”.

“Ky është edhe qëndrimi përfundimtar i Kosovës”, shkruan Pacolli.

“Pothuaj secili shtet në rajon sugjeron të njëjtin epilog, prandaj besojmë që Serbia do ta kuptoj që e ardhmja e saj pa njohje të Kosovës, është e ardhme e errët dhe pa perspektivë evropiane dhe ndërkombëtare. Serbia nuk duhet të pengoj shtetet në fqinjësi të ndjekin kursin perëndimor, prandaj e ritheksova edhe në këtë konferencë për media, se Serbia dhe BeH duhet ta korrigjojnë kompasin e prishur politik!”, ka shkruar Pacolli.