Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli preferon zona ekonomike në vend të shkëmbimit të territoreve

Vjenë, 31 gusht – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me ftesë të euro-deputetit, Lukas Mandl, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, mbajti një ligjëratë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë në Shtëpinë e Unionit Evropian në Vjenë, bën të ditur MPJ.

Në fjalën e tij, sipas këtij njoftimi, Pacolli paraqiti një bilanc dhjetëvjeçar të zhvillimeve të përgjithshme në vend, duke u fokusuar gjithashtu edhe në sfidat e brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është një realitet dhe fakt i pamohueshëm. Republika e Kosovës paraqet një storie të suksesit, jo vetëm të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve të saj me përkatësi të ndryshme etnike dhe fetare. Këto 10 vite janë një sukses enorm, me të cilin ne padyshim duhet të jemi krenar”, shtoi mes tjerash Pacolli.

Duke u ndalur në rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, kryediplomati kosovar shtoi se votimi i djeshëm me shumicë votash në Komitetin për Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE) për heqjen e vizave për Kosovën, është dëshmia më e mirë e vendosmërisë dhe përkushtimit të Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha zotimeve, objektivave dhe detyrimeve, që dalin nga procesi integrues.

“Evropa paraqet një lloj mozaiku, i cili nuk do të jetë i plotë pa integrimin e Republikës së Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Pacolli. Në vazhdim ai shprehu bindjen e tij, se sikurse Republika e Kosovës që ka plotësuar 95 kriteret e kërkuara, ashtu edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së do të japin dritën e gjelbër për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke i dhënë fund izolimit të Kosovës.

Ndërsa, në lidhje me dialogun, që është duke u zhvilluar në Bruksel me shtetin fqinj verior, kryediplomati Pacolli tha se vazhdimisht ka qenë në përkrahje të dialogimit dhe zgjidhjes së problemeve fqinjësore bilaterale në mënyrë paqësore. Ai shtoi se është kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimeve territoriale dhe pro afirmimit të zonave ekonomike, përmes së cilës qytetarëve të Republikës së Kosovës - pa dallim etnie - do t’i ofrohet një perspektivë e qartë e hapjes së vendeve të reja të punës.

Edhe Pacolli: S’mund të ndërtohet e ardhmja në Ballkan duke imponuar vendime politike e duke mohuar të kaluarën Arbëri Pacolli: S’mund të ndërtohet e ardhmja në Ballkan duke imponuar vendime politike e duke mohuar të kaluarën

Në praninë e një numri të madh diplomatësh, politikanëve, deputetëve, akademikëve e gazetarëve, ministri Pacolli ka folur pёr tё gjitha aspektet relevante, tё cilat e kanë karakterizuar shtet-ndërtimin në Republikën e Kosovёs, sidomos që nga periudha e shpalljes së pavarësisë.

Pacolli së bashku me zëvendësministren, Rejhan Vuniqi, po qëndrojnë nё Vjenë pёr tё marrё pjesё nё takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Ministri Pacolli, po ashtu do tё zhvillojë njё sёrё takimesh me homologë nga BE-ja dhe rajoni.