Në vijim të vizitës së tij të ngjeshur në Sofje, ministri i Jashtëm dhe numri dy i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, u takua me numrin dy të qeverisë bullgare, përgjegjës i sigurisë dhe rendit publik, njëherazi ministër i Mbrojtjes, Krasimir Karakachanov, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Shefi i diplomacisë kosovare u prit në ministrinë e mbrojtjes me nderime ushtarake, në një takim shumë të ngrohtë dhe miqësor midis miqsh të vjetër. Me këtë rast, Pacolli e falënderoi bashkëbiseduesin e tij për mbështetjen bullgare që nga fillimi i shtet-formimit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Ne, e kishim zgjidhje të vetme për të siguruar ekzistencën tonë, shpalljen e pavarësisë dhe ju ishit të parët që e njohët, në një ndërmarrje të vështirë”, tha Pacolli, duke iu drejtuar homologut të tij bullgar.
“Ju jeni një shtet i ri, shtet i vogël, por me histori të vjetër”, tha Karakachanov, duke shtuar se “do të keni gjithnjë mbështetjen tonë”. “Ne duhet të punojmë për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve tona, duke shfrytëzuar korridorin 8, mjaft i rëndësishëm në rajon dhe në Europë”, tha ai.
Kurse Pacolli ka kërkuar mbështetje për Kosovën në Samitin e Sofjes.
“Unë pres nga Bullgaria, mikpritje të plotë për Kosovën në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Pacolli.
Edhe
Pacolli i thotë Radio Bullgarisë pritjet e Kosovës nga Samiti i Sofjes
Në lidhje me këtë, ai i kërkoi numrit dy të qeverisë bullgare ndërmjetësim kundrejt vendeve fqinje, që nuk e kanë njohur Kosovën, ashtu si dhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Një Kosovë në Interpol, është shërbim për një rajon të sigurt”, tha Pacolli, kërkesë që gjeti miratimin e plotë të bashkëbiseduesit.
Vizita e ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, vijoi me një takim me drejtuesit e Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), homologe e AKR-së në Bullgari, aleatë brenda Internacionales së partive liberale europiane.