Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët blenë vetë penjtë, SHSKUK-ja e siguroi furnizimin me kontratë emergjente

Spitali Vushtrri

Javën e kaluar, pacientët në Spitalin e Vushtrrisë janë detyruar t’i blejnë vetë penjtë kirurgjikalë për ndërhyrje. SHSKUK-ja i ka thënë KOHËS se, se sipas informatave nga ky spital, nuk ka pasur mungesa, e Spitali i Vushtrrisë nuk u është përgjigjur pyetjeve. Nga SHSKUK-ja kanë bërë të ditur se furnizimi me lloje të penjve kirurgjikalë është realizuar përmes një kontrate emergjente

Pacientët që javën e kaluar kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin e Vushtrrisë, sipas sinjalizimeve të pranuara nga KOHA, janë detyruar t’i sigurojnë vetë penjtë kirurgjikalë të llojit Vicryl.
KOHA ka pranuar disa sinjalizime nga pacientë, të cilët kanë raportuar mungesën e këtij materiali në spital.

Për të marrë sqarime lidhur me këtë çështje, KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Nga SHSKUK-ja kanë deklaruar se, sipas informatave të pranuara nga Spitali i Vushtrrisë, furnizimi me penj kirurgjikalë të llojit Vicryl 2-0 ka qenë i rregullt.

Megjithatë, një paciente i ka thënë KOHËS se është detyruar t’i sigurojë vetë penjtë për ndërhyrjen kirurgjikale.

“Djali ka dalë, m’i ka blerë. Saktë nuk e di sa kanë kushtuar, ama nuk jam e vetmja që atë ditë i kam blerë penjtë. Edhe për dy shoqe që kam qëndruar aty me to, njëjtë, edhe ato i kanë blerë”, ka thënë pacientja në kushte anonimiteti.

KOHA i ka dërguar pyetje edhe drejtpërdrejt Spitalit të Vushtrrisë, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje, ndonëse pyetjet janë dërguar të enjten.

SHSKUK-ja ka njoftuar se furnizimi në Spitalin e Vushtrrisë ka qenë i rregullt, duke theksuar se për sigurimin e penjve kirurgjikalë është realizuar furnizimi përmes një kontrate emergjente.

“Gjatë periudhës së fundit, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së furnizimit dhe përmbushjes së nevojave të institucioneve shëndetësore, është realizuar furnizimi përmes një kontrate emergjente, e cila ka përfshirë disa nga llojet e penjve kirurgjikalë me planifikim më të lartë në nivel të QKUK-së dhe SHSKUK-së. Si rezultat i furnizimeve të realizuara përmes kësaj kontrate, gjendja aktuale e furnizimit është stabile dhe është siguruar vazhdimësia e furnizimit me materialet përkatëse. Sa u përket procedurave të mëtejme të furnizimit, ju njoftojmë se Barnatorja Qendrore ka ndërmarrë dhe realizuar veprimet administrative dhe procedurale që janë në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të saj, ndërsa kërkesat përkatëse janë adresuar për procedim të mëtejmë te strukturat kompetente institucionale”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

KOHA u është drejtuar me pyetje edhe disa spitaleve të tjera rajonale për të kuptuar gjendjen e furnizimit me këtë material kirurgjikal.

Nga Spitali i Pejës kanë bërë të ditur se, në periudha të caktuara, furnizimi nga SHSKUK-ja është realizuar në sasi më të vogla, por kanë mohuar se kjo ka ndikuar në funksionimin e sallës së operacionit.

“Edhe pse në periudha të caktuara furnizimet janë realizuar në sasi më të kufizuara, asnjëherë nuk është evidentuar mungesë e penjve kirurgjikalë që do të ndikonte në funksionimin normal të Sallës së Operacionit”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.

Ndërkaq, nga Spitali i Gjakovës nuk kanë dhënë informacione për gjendjen e furnizimit, duke thënë se përgjegjësia për këtë çështje i takon SHSKUK-së.

“SHSKUK-ja është përgjegjëse për furnizimin e spitaleve me barna dhe material medicinal. Rrjedhimisht, raportet dhe njoftimet lidhur me këto furnizime janë në kompetencë të SHSKUK-së”, ka thënë Hilmi Shala, drejtor i Spitalit të Gjakovës.

Përgjigje për pyetjet e KOHËS nuk ka kthyer Spitali i Mitrovicës.

KOHA ka raportuar edhe më parë për mungesat e shpeshta të materialeve shpenzuese dhe barnave në spitalet rajonale të Kosovës.