Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pa rezultate në luftën kundër korrupsionit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se mungojnë rezultate konkrete të implementimit të planit të Këshillit Prokurorial të Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Kjo u bë e ditur në tryezën e organizuar sot nga GLPS me temën “Monitorimi i Planit Strategjik të KPK-së, ku po qëndron sistemi prokurorial në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”.

Të gjeturat e këtij raporti janë prezantuar nga autorja Bardha Maxhuni, sipas së cilës në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh herë aktakuzat janë tërhequr.

Ajo ka ngritur edhe çështjen se është një numër i limituar i konfiskimeve finale dhe kërkesave për sekuestrim.

“Luftimi i korrupsionit në nivel të lartë është indikator për matjen e efikasitetit të prokurorëve në trajtimin e lëndëve me prioritet. Në raportet e mekanizmave mbikëqyrës të KPK-së profilet e të akuzuarve nuk janë të cekura në mënyrë që të dimë qartë se sa ka pasur aktakuza të ngritura ndaj zyrtarëve të lartë. Gjithashtu, kemi edhe raste kur aktakuza kalon në gjykatë në shqyrtimin e parë, megjithatë në shumë raste që kanë të bëjnë me zyrtarët e lartë të shtetit Prokuroria pasi që ngrit aktakuzën kërkon që e njëjta të tërhiqet... Numri i limituar e konfiskimeve finale dhe kërkesave për sekuestrim, ku gjatë kësaj periudhe dy vjeçare është raportuar vetëm për një konfiskim final. Pra, vërehet një disproporcion i madh midis sekuestrimeve dhe konfiskimeve dhe duhet theksuar se në shumicën e rasteve Prokuroria nuk paraqet kërkesë për sekuestrim dhe konfiskim”, tha ajo.

Edhe GLPS: Vonesat në reforma rrezikojnë humbje të pakthyeshme financiare për Kosovën Arbëri 3 j. më parë GLPS: Vonesat në reforma rrezikojnë humbje të pakthyeshme financiare për Kosovën

Një e gjetur tjetër e këtij monitorimi është edhe mos përfundimi i lëndëve të varfra të korrupsionit të periudhave 2001-2013, ku ekziston rreziku i parashkrimit apo vjetërsimit të këtyre lëndëve, transmeton kp.

Maxhuni ka bërë të ditur se nga monitorimi kanë parë se është një numër i lartë i hedhjes poshtë të kallëzimeve penale dhe ndërprerjes së hetimeve pa arsyetim.

Një e gjetur tjetër nga GPLS është edhe mungesa e ndërmarrjes së masave disiplinore ndaj prokurorëve dhe kryeprokurorëve që dështojnë të përmbushin objektivat që dalin nga plani strategjik.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka nxjerrë edhe disa rekomandime, ku ndër to është edhe që të trajtohen me seriozitet kallëzimet penale, prokurorët duhet të rezistojnë ndaj ndikimit politik kur vjen puna te profilet e larta të zyrtarëve.

Gjyqtari në Gjykatën Supreme të Kosovës, Agim Maliqi, ka thënë se rezultatet nuk mungojnë, por nuk duhet të jenë të kënaqur.

“Sekuestrimi është një fazë shumë e hershme që bëhet gjatë hetimeve të një aseti dhe mund të ketë edhe gabime, edhe nga ana e prokurorit edhe gjykata pastaj me rastin e trajtimit kur vije tek konfiskimi janë më të kujdesshëm. Pasi që duhet të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se një aset, një pronë, është përfituar me vepër penale apo është mjet me të cilin është kryer vepra penale”, tha ai.

Edhe Evidentohet rritje e krimeve e mungesë prokurorësh LAJMET E MBRËMJES 2 muaj më parë Evidentohet rritje e krimeve e mungesë prokurorësh

Në anën tjetër organizatat që merren me monitorimin e punës së drejtësisë kanë thënë se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e sidomos për rastet e shënjuara.

Ai ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e publikon planin strategjik lidhur me luftimin e korrupsionit, pasi sipas raporteve të IKD-së, janë mbi 600 prokurorë dhe 200 gjyqtarë kanë qenë subjekt hetimi nga zyra e prokurorit disiplinor për shkak të shkeljeve në rastet e korrupsionit gjatë trajtimit të tyre.

Miftaraj ka thënë se tek lëndët e korrupsionit të nivelit të lartë shumica e rasteve pothuajse bien qoftë në shqyrtim fillestar apo në shqyrtim të dytë.

“Jemi dëshmitar që vetëm në kohët e fundit që i kemi pasur tri katër raste jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë pasur interes për publikun siç është rasti “Pronto”, “Veteranët”, rasti “Stentat” dhe rasti i drejtorit për krime ekonomike Emin Beqiri. Flasim për raste që nëse marrim për bazë afatet ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale pothuajse të gjitha, nëse marrim rastin “Pronto”, nëse marrim rastin “Stenta” në asnjë rast nuk respektohen afatet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale. Përderisa në rastin “Stenta” kemi aktakuzë e cila është ngritur nga zyra e kryeprokurorit të shtetit padyshim se përbën ndoshta skandalin më të madh në drejtësi që nga pas lufta, pasi që në bazë të Kodit të Procedurës Penale nuk lejohet që aktakuza të ngritët nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, por kjo është çështje ekskluzive e prokurorive Themelore. Edhe përkundër faktit se kjo aktakuzë është ngritur me vite të tëra ende është në shqyrtim fillestar”, tha ai.

Edhe GLPS-ja propozon pesë prioritete për Këshillin Prokurorial pas ndryshimeve ligjore Arbëri 5 muaj më parë GLPS-ja propozon pesë prioritete për Këshillin Prokurorial pas ndryshimeve ligjore

Genc Nimoni nga organizata Çohu, ka thënë se nëse analizohen statistikat e KPK-së në numra duken si arritje, por çka është shqetësuese sipas tij, është mënyra e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti i monitorimit të Planit Strategjik të KPK-së është bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.