Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmankaq: Prindërve po u rrezikohen vendet e punës shkaku i grevës

Anëtarja e Kryesisë së Këshillit të Prindërve të Kosovës, Salie Gajtani – Osmankaq, ka thënë se shumë prindërve po u rrezikohet vendi i punës për shkak të grevës, në të cilën gjenden edhe institucionet parashkollore.

Osmankaq në një bisedë për emisionin “038”, ka thënë se të martën prindërit e institucioneve parashkollore të Prishtinës e kanë një takim me drejtoreshën e Arsimit për Prishtinë, Besianë Musmuratin dhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa po shpresohet që së paku të ndalohet greva nëpër këto institucione.

“Te fëmijët e institucioneve parashkollor, ka prekur në esencë pos fëmijët, edhe familjet e tyre. Kemi afro 1600 fëmijë që ndjekin institucionet parashkollore në Prishtinë. Imagjinoni tashmë afro 1600 familje janë bllokuar, e kanë shumë probleme, dhe rrezikojnë edhe vendet e tyre të punës. Fëmijët kryesisht dërgohen pasi dy prindërit janë në punë. Po rrezikojnë vendet e punës. Njëri nga prindërit duhet të marrë pushim për t’u kujdesur për fëmijët, në kohën kur pushimet tashmë janë shterur, pasi kanë mbaruar pushimet e verës. Po duhet të barten fëmijët nga një familjar te tjetri. Është situatë fare e papëlqyeshme”, ka thënë Osmankaq.

Ajo ka thënë se greva është kthyer në një betejë politike dhe më nuk është çështje e rritjes së pagave. Ajo ka thënë se gjithë barra po bie mbi supet e fëmijëve, ndërsa thotë se si Këshill kanë ofruar disa rekomandime për prindërit.