Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova ka pranuar propozime jo të lehta një ditë më parë.
Duke iu referuar dy prej pikave të planit evropian, në reagimin e saj përmes një komunikate, Osmani ka thënë se ato duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial. Sipas presidentes Osmani, me këtë marrëveshje dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe me rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto, si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”. Presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës”, thuhet nga Presidenca.
Në komunikatën e Presidencës, takimi i 27 shkurtit vlerësohet si moment pozitiv në dialogun Kosovë-Serbi, derisa për marrëveshjen thuhet se fjalën e fundit duhet ta thotë Kuvendi.
Ndonëse jo për pikat në veçanti, lidhur me planin, të martën ka folur edhe kryeministri Albin Kurti gjatë homazheve në Qirez.
“Pra, na duhet një plan i zbatimit i cili karakterizohet nga këto dy principe procedurale, pra të qenit inkluziv dhe të qenit efikas për shkak të shumë nocioneve që janë në këtë propozim të BE-së për tekstin e të cilit u dakorduam. Për shkak të nocioneve dhe karakterit gjenerik kemi nevojë që në plan të zbatimit të kemi tiparet e konkretësisë pastaj të të qenit specifik, mandej të afateve kohore dhe të sekuencimit në zbatim. Ka shumë punë përpara, por besoj që ia ka vlejtur për të mirën e Kosovës takimi i mbrëmshëm”, tha Kurti.
Çështjet që presidentja Osmani i ka konsideruar si jo të lehta për t’u pranuar nuk janë veçuar as në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, bërë në mëngjesin e së martës.
Aty, mes të tjerash, thuhet se palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit.
“Marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Për dallim nga pushteti, përmbajtjen e propozimit evropian një ditë më parë e ka kritikuar një pjesë e opozitës.
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti se ka hequr dorë nga njohja prej Serbisë dhe se e ka pranuar Asociacionin.
E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dakordimin për propozimin evropian e ka vlerësuar të arritur të madhe.