Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së ka vizituar të premten Kosovën, ka thënë se sa më i shpejt të jetë integrimi në Bashkimin Evropian aq më i madh do të jetë përparimi i shteteve.
Osmani ka thënë se OSBE-ja e mbështet dialogun Kosovë-Serbi duke u bërë thirrje dy shteteve që të ecin përpara.
”Është kyçe për ne që të kalojmë në faqen tjetër dhe të shohim të ardhmen së bashku. Tentimet për bashkëpunim rajonal duhet të jenë të afërta. Dialogu gjithmonë në rajon ka qenë i frytshëm. Në Maqedoninë e Veriut na ka ofruar mënyrë të mirë për të ecur përpara, pavarësisht sfidave”.
Osmani e ka theksuar rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës që dialogu të vazhdojë përpara.
“Ne e mbështesim këtë proces që kontribuon në stabilitetin rajonal. Siç e kam thënë edhe në Serbi, është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës, që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut. OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura brenda dialogut”, ka thënë ai.
Osmani ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të bazohen në OSBE-në si burim kyç në dizajnimin dhe implementimin e reformave.
“Institucionet e Kosovës dhe komunitetet kanë bërë një progres të dukshëm së bashku në promovimin e institucioneve funksionale, demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.
Osmani ka folur në konferencë për media pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Ormani ia thekson ministrit maqedonas shkeljet e marrëveshjeve nga Serbia
Ministri Osmani ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani.
Në një komunikatë të Presidencës thuhet se Ormani e ka njoftuar ministrin maqedonas për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa thuhet se ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Në takim thuhet se është diskutuar edhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
“Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetmë të OSBE-së, si dhe diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, Presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht.
“Tutje, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e saj për ta avancuar rrugën euroatlantike të vendit tonë, i cili mbetet prioritet shtetëror. Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu një takim e ka zhvilluar edhe më kryeministrin Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
