Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim që Zyra e Presidencës e ka cilësuar të rregullt, njoftohet se është diskutuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Presidentja Osmani theksoi se ky përbën një hap të rëndësishëm për përmbushjen e vizionit të Kosovës për integrim në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet në veri të Kosovës.
“Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës për koordinim të rregullt e të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë”, është thënë më tej në komunikatë.