Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani takohet me senatorin Schumer, e falënderon për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në SHBA me liderin e shumicës në Senat të SHBA-së, Chuck Schumer.

Osmani në postim në Twitter ka thënë se e ka falënderuar Schumerin për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe se ka diskutuar me të për mënyrat si të rritet bashkëpunimi me Senatin.

“Gjithmonë kënaqësi të takohen me liderin e shumicës në Senat, senatorin Schumer dhe të riafirmojë partneritetin e gjatë mes dy shteteve tona. Kam shprehur falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe kemi diskutuar për mënyra se si të rrisim bashkëpunimin me Senatin”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Gjatë qëndrimit njëditor në Washington Osmani ka takuar edhe senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio, senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer.

Në të gjitha këto takime, Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë. Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej. Në takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre, njoftoi Presidenca.