Pas takimeve me presidentin e Francës e kancelarin e Gjermanisë, presidentja Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Pragë, një ditë më vonë, ka biseduar për çështjen e liberalizimit, integrimeve e bashkëpunimit të ndërsjellë edhe me shefat e qeverive, përkatësisht të Greqisë, Belgjikës, Sllovenisë e të Islandës
Përfundim të procesit të liberalizimit të vizave e avancim euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, ka kërkuar presidentja Vjosa Osmani në takimin me
kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar Zyra e presidentes.
“Presidentja Osmani ka përsëritur përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me Greqinë në çështjet me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.
Takimi i Osmanit me kryeministrin Mitsotakis është realizuar në Pragë në kuadër të Samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian dhe nuk ishte i vetmi i ditës së premte.
Sipas njoftimit të Presidencës, ajo ka takuar kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale ne kontinentin evropian.
Edhe
Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës
“Presidentja Osmani, teksa ka folur për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për ta vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat”, thuhet në komunikatën e zyrës për informim të Presidencës së Kosovës.
Osmani bëhet e ditur se ka falënderuar kryeministrin De Cross për mbështetjen belge për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Presidentja e Kosovës ka takuar edhe kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob, dhe kryeministren e Islandës, Katrin Jakobsdottir, me të cilët pohohet të jetë diskutuar po ashtu për marrëdhëniet bilaterale, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përfshirjen në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Presidentja Osmani, të enjten, është takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Ajo ka thënë se dy liderëve evropianë u ka treguar edhe vijat e kuqe të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Edhe
Osmani kërkon heqjen e masave ndëshkuese dhe hapjen e perspektivës evropiane
“Franca dhe Gjermania në nivele më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut dhe natyrisht ne nuk kemi asgjë kundër që të intensifikohen përpjekjet për një zgjidhje, por si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetin e vendit, kushtetutshmërinë dhe po ashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, të mos lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon”, ka theksuar Osmani.
Duke u ndalur te Asociacioni i Komunave Serbe, Osmani ka përsëritur qëndrimin zyrtar se Kushtetuta është e qartë në vendimin e saj dhe se një “Republika Srpska” në Kosovë do të ishte e dëmshme për vetë Bashkimin Evropian. Ajo ka hedh akuza në drejtim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se po i mbështet bandat kriminale në veri të vendit.