Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të enjten me liderët e partive, kryetarët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Partisë Demokratike Memli Krasniqi, Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nuk ka sjellë ndonjë zgjidhje për ta tejkaluar ngërçin politik. Presidentja ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik. Osmani tani do të ketë takime edhe me komunitetet pakicë.

Osmani: Nëse zvarritet procesi i konstituimit, i drejtohem Kushtetueses

31 min. më parë / 15 maj 2025 15:43
osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të, por se e quajti konstruktiv qasjen e tyre.

Ajo ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.  

“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Ajo ka thënë se nëse zvarritet më tej çështja e konstituimit të Kuvendit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo. 

“Nëse kjo zvarritet shumë janë disa opsione, një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse në vijim do rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë. Takimet do vazhdojnë”.

Presidentja është shprehur se takimet me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.

“Nëse shihet e nevojshme nga java tjetër do takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar me formate të tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit. Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, ka potencuar Osmani.

Osmani ka shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, pa u pajtuar partitë për konstituim të Kuvendit. 

Abdixhiku: S’jemi të interesuar ta vazhdojmë cirkun e 48-orëshit, presidentja t’i drejtohet Kushtetueses

1 o. më parë / 15 maj 2025 15:04
abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për të dalë me një zgjidhje për ngërçin politik. Pas takimit me presidenten dhe liderët e partive të tjera, ai ka thënë se gjendja mbetet e njëjtë, por ka theksuar se LDK-ja s’është e interesuar të vazhdojë me mbledhjet në Kuvend çdo 48 orë.

“Partitë qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik, nuk as iniciativë që do ta zhbllokojë këtë gjendje të tanishme. Kjo është për keqardhje dhe më së paku iniciativë nga partia e parë nënkupton se nuk ka as brengë e siç e pash në takim as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka theksuar se partitë e tjera, përveç LVV-së, e kanë pritur mirë idenë për qeveri tranzitore.

“Propozova dhe elaboruar idenë për qeverinë e unitetit për një periudhë të shkurt, kalimtare, me pika të qarta. Kishte reflektim pozitiv nga partitë tjera, përjashto partinë  e parë që nuk dha pozicion të qartë por as ide të tjera si të dilet nga kjo gjendje”, u shpreh ai.

“Kryesia e LDK-së do të mblidhet sot. Nuk jemi të interesuar të vazhdojmë me cirkun e çdo 48 orëve të mbledhjes. Është mirë që sa më parë presidentja të shqyrtoj dërgimin e kësaj çështjeje në Kushtetuese”.

Ai ka shtuar se si bllokada në Kuvend po ndodh sepse asnjëra parti nuk e ka shumicën.

“Partia e parë ka bllokuar kuvendin, nuk ec tutje për shkak të krizës procedurale, por në thelb kriza është politike. Asnjëra nuk ka shumicë politike në Kuvend, po të kishte shumicë do të zgjidheshin të gjitha çështjet”.

Haradinaj: Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues

1 o. më parë / 15 maj 2025 14:58
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ishte fare i shkurtër, duke konfirmuar se paraqiti qëndrimin e njohur të partisë që e drejton.

“Kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues”, ka thënë ai.

Më herët, AAK-ja e ka përmendur Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimi si “kandidate unifikuese”.

Krasniqi: Jemi në situatë të njëjtë, por takimin duhet ta shohim si hap para

1 o. më parë / 15 maj 2025 14:53
Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se situata vazhdon të jetë njësoj, pa zgjidhje, porse takimi duhet të shihet si hap para drejt zhbllokimit të ngërçit. 

“Ishte diskutim brenda pozicioneve që i dini. Kërkova që kryetari i VV-së ta ndryshojë kandidatin. Të vijë me një propozim që e merr shumicën parlamentare. Nuk pres të ndodhë ky ndryshim. Jemi në situatën e njëjtë. Duhet ta shohim si hap para këtë takim, një përpjekje shtesë edhe përfshirjen e presidentes për të gjetur rrugëzgjidhje. Kam propozuar që presidentja, në zbatim të përgjegjësive që i ka për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, që në një moment kur ajo e vlerëson të nevojshme, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, qoftë me një pyetje apo përmes dërgimit të një lënde në Kushtetuese për gjithë procesin zgjedhor. Kjo krizë nuk është procedurale, është politike. Dhe duhet të kishte zgjidhje politike. Por nëse kjo qasje autoritare vazhdon, do të bëjmë çmos për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.

Të gjithë liderët partiakë mblidhen në Presidencë

3 o. më parë / 15 maj 2025 13:01
Takimi i Osmanit me liderët

Të katër liderët e partive parlamentare shqiptare kanë shkuar në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani, në përpjekje për dalje nga ngërçi politik.

Në hyrje janë parë kryetarët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Partisë Demokratike Memli Krasniqi, Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Para konsultave me partitë, Osmani flet me Prattipatin e SHBA-së për “pasojat nga zvarritja”

4 o. më parë / 15 maj 2025 12:14
Anu Prattipati

Në prag të nisjes së konsultimeve me partitë politike për çështjen e konstituimit të Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani ka takuar të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane, Anu Prattipati.

Sipas njoftimit nga Presidenca, takimi është i rregullt.

Në njoftim theksohet se u diskutua për rëndësinë sa më të shpejt të institucioneve dhe për pasojat “me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”.

“Përveç kësaj u diskutuan tema konkrete të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, që ndër të tjera përfshijnë fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes”, thuhet tutje në njoftim.