Arbëri

Osmani: Sjellja e vrasësve të Aganit para drejtësisë, përkushtim i yni i vazhdueshëm

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar nënkryetarin shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetin e Kuvendit, Fehmi Agani, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka thënë se institucionet po vazhdojnë të përkushtohen në sjelljen e autorëve të krimit para drejtësisë.

Ajo e ka vlerësuar akademik Aganin si figurë emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, që u angazhuar në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur deri në vdekje.

“Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat. Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm”, ka thënë Osmani.

Më 6 maj kanë kaluar 24 vjet nga vrasja e akademikut Fehmi Agani nga forcat pushtuese serbe.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, ai ka tentuar të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni është kthyer mbrapsht. Diku afër Fushë-Kosovës, policia ka ndaluar trenin dhe ka urdhëruar të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp, kanë bërë të ditur se Agani është marrë ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij është gjetur të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.