Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Rusia nëpërmjet Serbisë synon destabilizimin e rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për aktivitetet në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Tri ditët atje ajo i ka quajtur shumë intensive, ku sipas saj, me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në numër panelesh.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, kanë përçuar mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit. Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojnë e t’i thellojnë.