Ndërsa e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Slloveni ka paralajmëruar se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mund të takohen gjatë këtij muaji. Në konferencën e përbashkët me homologun e saj slloven, Borut Pahor, Osmani ka folur për vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar me rrugën evropiane. E presidenti Pahor, ndërsa ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka kërkuar të njëjtën edhe nga partnerët e Sllovenisë brenda BE-së
Një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë muajit korrik, e ka paralajmëruar presidentja Vjosa Osmani. Për takimin e dy liderëve ajo ka folur të hënën, gjatë qëndrimit në Slloveni. Në konferencën e përbashkët me homologun e saj Borut Pahor, Osmani ka përmendur edhe dakordimin e arritur në Bruksel për zbatim të marrëveshjes për energjinë.
“Ky është një proces që po vazhdon, po vazhdon në nivel të shefave të delegacioneve, por besoj që gjatë korrikut, por kjo varet nga ana e ndërmjetësuesve, do të ketë edhe një takim mes liderëve. Por procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe dinamik dhe ka rezultuar me një marrëveshje për energjinë, e cila është shumë me rëndësi, por ka zhvillime pozitive”, është shprehur Osmani. Sipas saj, e rëndësishme është që Kosova të vazhdojë të mbajë qasje konstruktive në dialog, një rrugë kjo që, sipas saj, tashmë e ka ndjekur si shtet.
Për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë ka folur edhe presidenti slloven Barut Pahor. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që marrëveshjet e arritura të zbatohen.
“Sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, dua të them se Sllovenia është mike e të dyja shteteve, por të jemi të sinqertë se ne duam që ky dialog të jetë konkret dhe të japë rezultate, jo vetëm arritje të marrëveshjeve, por edhe zbatim të tyre”, ka deklaruar Pahor.
Ai ka inkurajuar palët që të vazhdojnë dialogun dhe ka kërkuar angazhim për gjetje të një zgjidhjeje.
“Ne do të donim që të shihnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi, sepse kjo nuk do të ishte e rëndësishme vetëm për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, por për gjithë rajonin. Do të donim të shihnin se të gjitha problemet zgjidhen me dialog. E treta, unë shpresoj të shoh vullnet nga të dyja palët që çështja e personave të zhdukur të zgjidhet”, ka theksuar Pahor.
Në konferencën e mbajtur Osmani ka rikthyer vëmendjen tek liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo ka thënë se shpreson që liberalizimi të ndodhë nën presidencën çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian. Presidentja ka theksuar se është e papranueshme rihapja e kësaj teme dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim para katër vjetëve.
“Tani është në dorën e shteteve anëtare që të finalizojnë dhe përmbyllin këtë proces që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por pavarësisht sfidave dhe pengesave ne do të vazhdojmë të ecim në atë rrugë si evropianë të vërtetë”, ka theksuar Osmani.
Ndërsa presidenti slloven, Pahor, ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për këtë proces dhe ka thënë se presin që BE-ja të përmbushë premtimin për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Së pari, ne presim nga partnerët tanë evropianë të përmbushin premtimet e tyre dhe këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Marrëveshja veçse është arritur dhe do të ishte e padrejtë për të rihapur këto diskutime”, është shprehur Pahor. Ai ka thënë se do ta mbështesë edhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
Gjatë vizitës së saj në Slloveni, presidentja Osmani do të takohet edhe me udhëheqës të Parlamentit slloven, si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë. Ajo po ashtu Forcave të Armatosura të Sllovenisë do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, në të cilin gjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë të këtij vendi.