Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Bruksel për Samitin e BE-së udhëton me shpresë, por jo edhe me pritje të mëdha.
Ajo shpreson që më në fund të marrë Kosova liberalizimin e vizave, e të mos zhgënjehet sërish. Të enjten në Bruksel mbahet Samiti ku raportohet se Kosova mund të marrë lajm pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave.
“Unë gjithmonë shkoj atje me shpresë, por jo me pritje të mëdha. Të shpresojmë të mos jetë një zhgënjim tjetër”, ka thënë Osmani në një intervistë për mediumin holandez “NRC.nl”.
Ajo ka paralajmëruar edhe Ukrainën që të mos ketë pritje të mëdha, pasi jo çdoherë “ajo që premton BE-ja edhe realizohet”.
“Premtimet e BE-së nuk do të thotë se mbahen. Ne jemi zhgënjyer mjaft shpesh deri më tash”, tha Osmani. “Komisioni Evropian po e kryen punën dhe po shikon nëse kemi plotësuar gjitha kushtet. Parlamenti Evropian po bën thirrje të veprohet. Janë shtetet individuale, që për shkaqe të politikës vendore, po e pengojnë procesin vazhdimisht. Njerëzit nga Ukraina, Gjeorgjia, e shtetet e ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirshëm. Por, mua – si e vetme – më duhet vizë për të udhëtuar në Samitin në Bruksel. Është padrejtësi e madhe: diskriminim kundër popullatës sonë. Po jetojmë në geto”.
Osmani ka përmendur rastet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me të cilat ende nuk janë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Osmani ka thënë se synimi është që Kosova të bëhet kandidate për anëtarësim në BE këtë vit. Ajo thotë se situata e krijuar me pushtimin rus të Ukrainës ka ndryshuar gjërat.
“Ne jemi të gatshëm dhe e meritojmë plotësisht. Kemi bërë detyrat e shtëpisë”, tha Osmani. “Shtetet e BE-së duhet të ndalojnë të bëjnë koncesione për të promovuar autokratët e Putinit. BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë se ata që rreshtohen në krah të Moskës nuk kanë vend në familjen evropiane”.