Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani: Liria e fituar nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia.

Ajo tha se historia më e re e Kosovës bart në vete rrëfimin e trishtuar të mbi 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Osmani ka përmendur guximin e ish-deputetes Vasfije Krasniqi, e cila tri vjet më parë dëshmoi në Kongresin Amerikan për dhunimet e kryera nga forcat gjenocidale serbe, duke kërkuar drejtësi.

Osmani theksoi se liria e fituar nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat dhe dënim për autorët.

“Presidentja Osmani theksoi se liria e fituar nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat dhe dënim për autorët. Ajo e ka njoftuar delegacionin nga Ukraina dhe Kolumbia se me propozimin e saj, 14 Prilli në Kosovë shënohet si dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke rikonfirmuar se si presidente e vendit do të jetë zëri i këtyre grave çdo ditë. Presidentja e ka njoftuar delegacionin se në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, me të cilat personave të dhunuar gjatë luftës u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me të cilën gjë u mundësohet pensioni ligjor”, thuhet në njoftimin e Presidencës.