Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një bisede telefonike të premten ka ftuar zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamal Harris, që ta vizitojë Kosovën. Sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, biseda telefonike e ka pasur në qendër “partneritetin e shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”.
Njoftimi thotë se Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën duke theksuar se ky shtet është partneri kryesor strategjik i Kosovës në procesin e konsolidimit të shtetësisë.
Osmani ka falënderuar SHBA-në për donacionin prej mbi 500 mijë vaksinash anti-COVID. Këto vaksina raportohet se tashmë janë nisur për në Kosovë.
“Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së pareshtur të SHBA-ve për vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, Harris ka thënë, sipas njoftimit, se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë.
Presidenca ka thënë se Harris ka shprehur mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës për këtë mision dhe ka theksuar edhe një herë lidhjen personale mes kësaj administrate dhe popullit të Kosovës.
Edhe
Osmani: Kosova do të vazhdojë partneritetin me SHBA-në edhe pas zgjedhjeve
Presidentja Osmani i ka thënë Harrisit se fitorja e ekipit me Bidenin në krye s’ka qenë fitore vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën demokratike.
“Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës. Presidentja Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti”, thuhet në fund të njoftimit.
-
Osmani takon Harrisin në Zvicër: I përcolla mirënjohjen e popullit të Kosovës
-
Osmani takon Bidenin: Aleanca e lirisë, aleanca e përjetshme
-
Bideni rithekson: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të jetë e përqendruar te njohja reciproke
-
Zëvendëspresidentja Harris: SHBA-ja e Kosova të vazhdojnë të përforcojnë raportet