Vjosa Osmani, deputetja e LDK-së, ka reaguar pas vendimit të qeverisë që të procedojë në Kuvend marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.
Sipas saj, marrëveshja e dërguar është ajo e njëjta e vitit 2015, për të cilën kryeministri Ramush Haradinaj, atë kohë në opozitë, kritikonte ashpër koalicionin qeverisës PDK-LDK.
“A është e mundur që e gjithë ajo vëmendje sot ishte te reagimi “kuku, kuku” i Kryeministrit, e jo te fjalët që i tha përderisa ngriste dorën për të votuar PËR: “Miratohet/Aprovohet Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit në mes të Kosovës e Malit të Zi”. Po, po: është po e njëjta marrëveshje e vitit 2015. Asnjë pikë, asnjë presje s’ka ndryshuar. Po e njëjta marrëveshje nëpërmjet së cilës dhuna dhe akuzat për tradhti ishin bërë përditshmëri. Po të njëjtën, sot e votoi Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka publikuar dy fotografi, në të cilat shihet Haradinaj duke votuar sot pro dhe në një tjetër teksa e gjuante hartën në drejtim të Murat Mehës, ish-kryetar i komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Reagim të njëjtë për këtë vendim ka pasur edhe deputeti tjetër i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Edhe ai i ka përmendur deklaratat për tradhti nga Haradinaj.
“Tre vjet kundërshtim, dhunë e akuza për tradhëti - dhe sërish procedohet e njëjta marrëveshje për votim. Asnjë ndryshim. Tre vjet ngecje në një vend. Një eksperiment komik me çmim izolimin e kosovarëve tash e sa kohë”, ka shkruar ai në Facebook.
-
Osmani vlerëson se demarkacioni me Malin e Zi nuk është më çështje e politikanëve
-
Demarkacioni, “çështje e lehtë” për Kosovën e Malin e Zi
-
Një vit nga demarkacioni, të dyja shtetet e konsiderojnë çështje të mbyllur
-
Haradinaj: Ratifikimi i demarkacionit, në të mirën e qytetarëve
-
Hoti: LDK e voton demarkacionin, obligim i qeverisë t’i sigurojë votat