Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani diskuton për dialogun me Serbinë me një delegacion nga Këshilli Atlantik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion nga Qendra për Evropë e Këshillit Atlantik (Atlantic Council) të udhëhequr nga Jörn Fleck, drejtor i lartë.

Sipas një komunikate për media, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, hapat e mëtejmë në integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, dialogun me Serbinë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me Këshillin Atlantik.

Duke folur për zhvillimet aktuale gjeopolitik në Evropë, njoftohet se Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë, ndërsa tha se integrimi i plotë i Kosovës në institucionet euroatlantike bashkë me shtete tjera demokratike të rajonit është jetik për të arritur këtë qëllim.

Tutje, Osmani foli për rolin konstruktiv dhe qasjen proaktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë dhe partnerë ndërkombëtarë.

“Presidentja ka ritheksuar rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së funksionalitetit të shtetit në çdo hap. Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për forcimin e partneritetit në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si dhe thellimin e bashkëpunimit me programe të ndryshme të Këshillit Atlantik”, thuhet në njoftim.


Kurti takoi ekspertët Ballkanit Perëndimor,i njoftoi me rezultatet e qeverisjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me një delegacion të ekspertëve të Ballkanit Perëndimor nga organizata Këshilli Atlantik, të udhëhequr nga drejtori i qendrës në Evropë, Jorn Fleck.

Edhe Ngërçi në Kuvend dhe perspektiva euroatlantike, tema të bisedimeve të Osmanit e Kurtit me Reiffenstuel Arbëri Ngërçi në Kuvend dhe perspektiva euroatlantike, tema të bisedimeve të Osmanit e Kurtit me Reiffenstuel

Në njoftimin e qeverisë thuhet se kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe punën e këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare.

“Kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe reflektimin e progresit të këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare ku Kosova është radhitur e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit, sipas World Justice Project dhe sikurse edhe për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, sipas Freedom House. Po ashtu i njoftoi me progresin në ekonomi, rritjen mesatare për rreth 7% në dy vite qeverisje, rritjen e buxhetit dhe të ekonomisë dhe rritjen e eksporteve, duke theksuar se Kosova është dëshmi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krah për krah. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Kosovë, rajon dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri e falënderoi për mbështetjen, kontributin dhe rolin e Këshillit Atlantik.