Ushtruesi i detyrës së ndihmës-sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për detyrën e re, ndërkohë i ka shprehur asaj mbështetjen e SHBA-së dhe të presidentit Joe Biden për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një njoftim nga Presidenca.
“Ambasadori Reeker theksoi se raportet e SHBA-së me Kosovën janë të bazuara në vlerat demokratike dhe qëllimet e përbashkëta. Më tej, ambasadori Reeker rikonfirmoi interesimin e Presidentit Biden për të mbështetur Kosovën drejt zhvillimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme. Po ashtu, ambasadori Reeker potencoi angazhimin e SHBA-ve për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-të është jetik për realizimin e prioriteteve të institucioneve të Kosovës në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e Kosovës, si dhe zbatimin e reformave te brendshme që do të shtonin punësimin dhe do të luftonin në mënyrë efikase korrupsionin. Sa i përket dialogut me Serbinë, ambasadori Reeker theksoi se SHBA-ja inkurajon palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, Osmani potencoi rëndësinë e përmirësimit cilësor të procesit të dialogut që bazohet në paprekshmërinë e territorit të Kosovës dhe karakterin unitar të shtetit e që i kontribuon paqes dhe prosperitetit në rajon.
“Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, ndriçimi i fatit të të pagjeturve mbetet prioritet të cilin institucionet synojnë ta shtyjnë përpara dhe për këtë kërkoi përkrahjen e SHBA-së”, thuhet në njoftim.