Në episodin e gjashtëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, vije rrëfimi i njërit prej themeluesve të lobit shqiptaro-amerikan dhe veprimtarit të njohur, Osman Osmani.
Osmani kujton fjalët e Clintonit pasi u bënë komshinj: Më tha ‘unë Kosovën e kam çliruar’
Në një bisedë në podcastin PIKË, veprimtari i njohur dhe themeluesi i lobit shqiptaro-amerikan, Osman Osmani, ka ndarë historinë se si u bë papritur komshi me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe fjalët e para që ai ia tha pasi e mori vesh se është shqiptar.
“Fati... nuk di si me thanë. Bill Clinton më ka ardhur disa herë në shtëpi. U bëmë komshinj. Bleu shtëpi afër ku unë jetoj, dhe erdhi vetë të më takojë”, rrëfen Osmani.
Takimi i tyre u shoqërua me një bisedë të ngrohtë, siç e shpjegon Osmani, ku Clinton i tha: “Unë Kosovën e kam çliruar – unë i kam kthyer kosovarët në shtëpi”.
Osmani kujton me emocion se gjatë takimeve, Clinton, por edhe gruaja e tij Hillary, nuk kanë mundur t’i ndalin lotët kur flisnin për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë.
“I thashë se kosovarët s’kanë për ta harruar kurrë këtë gjest. Por i kujtova se puna nuk është përfunduar, sepse fshatrat ishin shkatërruar, toka djegur, njerëzit pa asgjë”, shton ai.
Osmani rrëfeu se Bill Clintoni i bëri ftesë familjes së tij për të pritur festa të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë.
Osmani: Lobi shqiptaro-amerikan humbi fuqinë kur gjithë energjia u përqendrua te LDK-ja
Në një intervistë në podcastin PIKË, veprimtari dhe njëri nga themeluesit e lobit shqiptaro-amerikan, Osman Osmani, shpjegon arsyet pse një nga organizatat më të fuqishme lobiste në Evropë humbi gradualisht ndikimin e vet.
“Në fillim, amerikanët ishin me ne, media si CNN informonte krejt SHBA-në për vuajtjet dhe bombardimet në Kosovë. Populli amerikan donte t’i ndihmonte shqiptarët me gjithçka, madje edhe me materiale që kushtonin tri herë më shtrenjtë nga jashtë sesa këtu”, ka thënë Osmani.
Por, sipas tij, humbja e fuqisë së lobit filloi me formimin e LDK-së në Kosovë.
“Tash krejt energjia u fokusua tek LDK-ja, sepse nuk kishte parti tjera. Filluan ndarjet, interesat personale dhe përplasjet brenda komunitetit”, u shpreh ai.
Osmani thekson se edhe kur u përpoqën të angazhojnë figura politike të njohura si Sali Berisha, Sabri Godo apo Nevzad Halili për të hapur parti të tjera, përpjekjet dështuan.
Ndërkohë, siç thotë Osmani, disa nga aktivistët më të fortë të lobit iu bashkuan LDK-së përkohësisht, por kjo krijoi bllokada dhe përçarje që e dobësuan organizatën.
“Gjithkush kërkon të ruajë interesin e vet, dhe kjo e ktheu lobin në një organizëm më të dobët, që nuk mundi më të mbajë forcën e mëparshme”, përfundon Osmani.
Osmani thotë se Joe DioGuardi ishte figura kyçe e lobit shqiptaro-amerikan
Në një rrëfim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, veprimtari dhe njëri nga themeluesit e lobit shqiptaro-amerikan, Osman Osmani, thekson rolin vendimtar të kongresmenit Joe DioGuardi në themelimin dhe fuqizimin e lobit shqiptar në Amerikë.
“Ai e ka meritën kryesore. Na e fillum, po pa Joe s’kishim mund me bë shumë”, ka thënë Osmani, duke kujtuar momentet pas demonstratave të vitit 1981, kur nevoja për një hap më të madh politik ishte e pashmangshme.
Osmani tregon se fillimisht lobi ishte një iniciativë e vogël prej pesë a gjashtë vetash, ku përfshiheshin edhe figura si Rexhë Xhakli, Bruno Selimaj dhe Shaqir Gashi. Por ishte pikërisht DioGuardi, me përvojën e tij si kongresmen dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, ai që i dha hov organizimit.
“Ai nuk priste, nuk lodhej, nuk njihte pengesa – qoftë te kongresmeni, senatori apo vetë presidenti Na i thamë: ‘Ti je Skënderbeu i dytë’, e ai kish qejf këtë punë”, u shpreh Osmani.
Kjo bashkëpunim i hershëm mes aktivistëve shqiptarë dhe një zëri të fuqishëm në Kongresin Amerikan u bë themeli i lobit shqiptaro-amerikan, që më vonë do të luante rol kyç në avancimin e kauzës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Osmani: Demonstratat e '81-shit na bashkuan të gjithëve, për herë të parë pa dallim ideologjik
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, njëri ndër themeluesit e lobit shqiptaro-amerikan, Osman Osmani, rrëfen momentet vendimtare të angazhimit të diasporës shqiptare në SHBA gjatë demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Ai thekson se ky vit ishte një pikë kthese historike, kur për herë të parë shqiptarët nga të gjitha trevat — nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva dhe Mali i Zi — u bashkuan pa dallime ideologjike për të protestuar para Kombeve të Bashkuara në mbështetje të çështjes shqiptare dhe lirimit të Adem Demaçit.
Osmani kujton gjithashtu përpjekjet e përfaqësive të Shqipërisë komuniste për të ndarë dhe kontrolluar komunitetin shqiptar në SHBA.
Ai rrëfeu për afërsinë fizike me legatën shqiptare në New York, ndërhyrjet e saj në komunitet, dhe ndryshimet që ndodhën me ardhjen në pushtet të Sali Berishës.
“Na bijshin kah dera, por kurrë s’vijshin te na. Deri kur erdhi Sala… atëherë i erdh radha me kërku punë prej nesh”, kujtoi me ironi Osmani.