Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset masa e paraburgimit në Kosovë, ka thënë Misioni i OSBE-së në Kosovë në një raport.
Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, nëntë vendime të apelit në vitin 2023, në lidhje me pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.
OSBE ka thënë se ka pasur praktika pozitive në sistemin e drejtësisë, krahasuar me konstatimet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit.
Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, duke përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur.
“Vendimet për paraburgimin janë sfiduese. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbështesin sundimin e ligjit dhe të mbrojnë publikun. Ata duhet të marrin vendime të vështira – të vlerësojnë rrezikun dhe të baraspeshojnë të drejtat e të pandehurit me sigurinë publike, si dhe të sigurojnë që ata që kryejnë krime të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
-
OSBE: Të kërkohet ekspertizë për të pandehurit me probleme mendore para shqiptimit të paraburgimit
-
OSBE: Sigurimi i dëshmitarëve dhe provave nga jashtë, pengesë për gjykimin e krimeve të luftës
-
Supremja mohon vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim
-
Oda e Avokatëve: Vonesat në trajtimin e ankesave për paraburgim po cenojnë të drejtat themelore
- Nga parimet në vepra: Përmbushja e premtimit të Kosovës ndaj grave dhe vajzave