Në praninë e diplomatëve dhe klerikëve të rëndësishëm rusë dhe grekë në Shqipëri, patriarku i Kishës ortodokse ruse Kirill, në ditën e dytë të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri, bashkë me Kryepeshkopin Shqipërisë Anastas Janullatos zhvilluan Liturgjinë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksander Karpushin, ambasadorja grekë, Eleni Sourani, si dhe klerikë të ndryshëm rusë, grekë dhe shqiptarë.
Tirana u kthye për një ditë, në një qendër të rëndësishme të Kishës së Lindjes, shkruan Shqiptarja.
Patriarku Kirill vlerëson figurën e Shën Kozmait
Në fund të meshës së përbashkët Patriarku Kirill vlerësoi figurën e Shën Kozmait.
Shën Kozmai i Etolisë i barabartë me Apostujt, i cili ka predikuar dikur në këtë tokë dhe ka vdekur këtu me një vdekje martiri nga duart e njerëzve të një besimi tjetër, në këshillat e tij thotë fjalët e mrekullueshme: “Perëndia i Tërëmirë dhe i Shumëmëshirshëm ka emra të shumtë dhe të ndryshëm. Quhet Dritë, Jetë, Ngjallje. Por emri i Tij kryesor është Dashuri”. Dashuria e Krishtit na jep jetë, dhe aty ku është ajo nuk ka vend për vdekje.
Dëshiroj të falënderoj Fortlumturinë Tuaj për ftesën dhe për këtë mundësi për të zhvilluar një lutje të përbashkët me Ju dhe me të gjithë Kishën e Shenjtë të Shqipërisë. Paqja dhe dashuria për Krishtin qofshin me të gjithë ne. Zoti e ruajt Kishën tuaj të Shenjtë dhe grigjën e saj të përshpirtshme!
Kirill për rolin e Kishës ortodokse shqiptare në luftën e Kosovës
Gjithashtu partiarku rus vlerësoi rolin e Kishës ortodokse shqiptare dhe të Anastas Janullatosit gjatë luftës së Serbisë në Kosovë.
Edhe shërbimi i Kishës ndaj njerëzve është pjesë e kësaj dëshmie, pjesë e aktit të saj heroik konfesor këtu, në tokë. Më kujtohet se çfarë përpjekjesh të mëdha ndërmori Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nën udhëheqjen e Fortlumturisë Tuaj gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, duke i pritur të gjithë refugjatët pa dallim feje dhe bindjesh politike. Bota orthodhokse ishte e habitur se si me forcat kaq modeste u bë një punë kaq e jashtëzakonshme. Kisha është e pafuqishme t’i parandalojë të gjitha mjerimet dhe fatkeqësitë të cilat vullneti i keq njerëzor i sjell në këtë botë. Por, të keqen dhe vdekjen ajo mund t’i kundërshtojë me armën e saj të vetme dhe të pathyeshme, që është dashuria dhe dhembshuria për të gjithë racën njerëzore.
Murgu Kozmai sipas studimit të historianit Xhufi
Por historianit Pëllumb Xhufi nga ngritur dyshime të mëdha lidhur me rolin e shenjtorit në vendin tonë.
Misioni i dytë i murgut Kozma synonte përhapjen e gjuhës greke në trevat shqiptare nëpërmjet çeljes së shkollave greke. Në këtë kuptim edhe misioni i dytë mbetet po aq politik sa dhe i pari. Kozmai u nis nga Stambolli më 1775 i pajisur përsëri me leje të Patrikut dhe me ferman të Sulltan Mehmetit I. Por tani Kozmai ishte emëruar nga Sinodi i shenjtë i Kishës si “Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke.... Siç i shkruan vëllait të tij, Hrisanthit, në përfundim të misionit të vet Kozmai arriti të ngrejë 210 shkolla në Shqipërinë e poshtme. Këto ishin të gjitha shkolla greke dhe një fakt i tillë e bënë Kozma Etolin padyshim një pararendës të helenizmit në Shqipëri, por aspak një “promotor të arsimit kombëtar”, siç është shprehur pa vend ndonjë adhurues shqiptar i tij (!?)
Dihet që Kozmai ishte miku i sarajeve të Kurt Pashës së Beratit si dhe i bejlerëve të Filatit, Paramithisë, Delvinës, etj. Këtyre aq u bënte nëse murgu vendoste piketa”helenizmi” nën hundën dhe nën mbrojtjen e tyre. Mjaftonte që rajatë e tyre të rrinin urtë dhe të paguanin taksat, gjë për të cilën Kozmai nuk ua kursente predikimet e tij. ... Sot nuk ka grek që t’i njohë “shenjtorit” anti-shqiptar, gjysmanalfabet nga Etolia dhe varrit të tij në Kolkondas, ndonjë vlerë tjetër veç asaj të greqizimit të popullsisë ortodokse të Myzeqesë dje, dhe të një hipoteke absurde në tokat e shqiptarëve, sot. Me këtë synim të mbrapshtë, shën Kozmai është futur qëllimshëm në kalendarin e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe besimtarët e Myzeqesë e nderojnë atë, pa ditur cili është dhe përse. Njëlloj si besimtarët myslimanë të Petrelës të cilët, nuk dinë përse nderojnë tyrben e Ballaban Pashës, tradhtarit dhe armikut të Shqipërisë…!?
I ashtuquajturi Shën Kozma u lind më 1714 në një fshat të humbur të Etolisë. Mori mësimet e fesë në Malin Athos, në manastirin e Filotheut, si klerik për të shërbyer edhe në Shqipëri. Jeta e tij, mbyllet me vrasjen në fshatin Kolkondas (Fier) më 24 gusht, 1779. Legjenda thotë se vrasja u bë me urdhër të Kurt Pashës si pasojë e intrigave të çifutëve të Beratit. Rrëfimet mbi bëmat dhe martirizimin e shën Kozmait janë një variant popullor i rrëfimeve biblike, në analogji me martirizimin e Jezu Krishtit. Rrëfime të tilla lindnin në mjedise klerikale e fshatare analfabete, gjenin përhapje të gjerë në momente krize politike dhe shpirtërore, ishte fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas dështimeve të kryengritjeve antiosmane të viteve 60-70-të të shekullit XVIII, popullsitë e krishtera të Ballkanit dhe ato shqiptare, u ndrydhën në një pritje të “shpëtimtarit çudibërës”.