21:19 - Deri tash prokurimi publik është çështja krejtësisht e mbyllur për qytetarin duke bërë që të jenë të painformuar. Përmes një koalicioni të quajtur ProOPEN, organizatat KDI, COHU, D+ dhe Riinvest janë mbledhur për të punuar mbi një platformë që do të mundësonte prokurim të hapur.
“Problem themelor në prokurim publik është një problem thelbësor ku e kemi përjashtuar komplet qytetarin. Është një proces krejtësisht i mbyllur ku vetëm në fund e shohin rezultatin. Qytetarët nuk kanë informata sot se sa ka kushtuar ajo rrugë”, ka thënë Zejna.
“Duhet të kemi një prokurim të hapur. Ky koalicion do ta mundësoj këtë. Ky komision rregullativ i prokurimit publik duhet ta njoh si palë edhe qytetarin apo organizatat. Ata duhet të hapin një email apo linjë telefonike mirëpo për të ndodh kjo ata duhet të publikojnë kontratat”, shpjegoi ai.
Zejna: Tenderët po përshtaten me kompani të caktuara
Problemet në prokurimin publik janë të shumta dhe kjo duke filluar që nga faza e parë. Isuf Zejna nga “Demokracia Plus” në emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se përpilimi i kritereve për fitimin e tenderëve po bëhet duke u përshtatur plotësisht me kompani të caktuara.
“Këto i përshtaten përmes licencave që u kërkohen, shembull është numri i punëtorëve. Nëse ndalemi dhe i shikojmë atëherë në shumë prej tyre gati se nuk i kanë shkruar edhe emrin e kompanisë. Sikur të aplikonin edhe kriteret tjera edhe kompanitë më të vogla do të kishin mundësi të ofertonin”, ka thënë ai.
Kërkohet fuqizimi i drejtësisë për të parandaluar shkeljet në prokurimin publik
Fuqizimi i sistemit të drejtësisë është domosdoshmëri në mënyrë që të shmanget shkeljet e keqmenaxhimi i kontratave në prokurimin publik. Kështu tha në Rubikon të KTV-së Albulena Nrecaj nga INPO.
“Në mënyrë që të shmanget korrupsioni në prokurimin publik është fuqizimi i sistemit të drejtësisë. Është një fakt publik që sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur”, ka thënë ajo.
Sipas saj, raportet e auditorit të përgjithshëm gjithmonë prodhojnë shkelje të cilat përbëjnë vepra penale.
“I kemi të gjeturat e auditorit të përgjithshëm i cili vit për vit raporton shkeljet e njëjta veçse lëmi i aktivitetit të zhvilluar është i ndryshëm. Vit pas viti në raportet e auditorit të përgjithshëm gjejmë shkelje të cilat përbëjnë vepra penale”, theksoi ajo.
“Ka një problem në prokurimin publik e ajo është prokuroria”, shtoi tutje Zejna. Ai tha se ka hetime e akuza mirëpo sipas tij, akuzat shumë herë ndaj zyrtarëve të prokurimit janë qesharake. “Për çështje të cilat ne ndoshta do të duhet t’i lavdëronim, atyre ju shqiptohet shkelje. Pra, shihet që ka një mosdije të madhe në prokurori”, ka thënë ai.