Arbëri

Opozita: Qeveria po e mashtron opinionin, Kosova larg 2020-s në sundim të ligjit

Mburrjen e pushtetit për ngritjen e Kosovës në listën botërore në fushën e sundimit të ligjit për vitin 2022, bazuar në Indeksin vjetor të Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, opozita po e sheh si mashtrim të opinionit.

Kosova u rendit e dyta në botë në listën për përmirësim në fushën e sundimit të ligjit për vitin 2022. Qeveritarët u shprehën se kjo ngritje është për shkak të “reformave të Qeverisë”. Në listën e përgjithshme ajo është e 57-a.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar si propagandë e të pavërtetë qasjen që ia ka dhënë pushteti raportit të mërkurën. Ajo ka publikuar një listë në të cilën ka thënë se Kosova sivjet ka dalë në vendin e 57-të, por më dobët se më 2020 kur ishte e 54-ta.

“Kërkohet punë e jo propagandë e të pavërteta. Aftësia e qeveritarëve për të lexuar raporte është e paparë. Injorojnë krejt raportin, kalojnë 39 faqe dhe shkojnë te faqja 40, gjejnë diçka për t'u lavdëruar por realiteti është ndryshe. World Justice Project e rendit Kosovën në pozitën e 57-të në këtë vit. Ende larg nga viti 2020 ku Kosova renditej e 54-ta, derisa vitin e kaluar kishte pësuar regres dhe renditej e 60-ta”, ka thënë Bajrami në një shkrim në Facebook.

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ky indeks mat perceptimin e publikut përmes sondazheve dhe “nuk do të thotë domosdoshmërisht se sundimi i ligjit është përmirësuar”.

“Prandaj, kryeministri dhe ministrja e Drejtësisë nuk duhet ta paraqesin këtë si sukses të madh të tyre, sepse, po të bazohemi në këtë matje të percepcionit, Kosova në vitin 2020 (prej kur është përfshirë në këtë indeks) ishte e ranguar në vendin e 54-të, më mirë se tani në vitin 2022 që është në vendin e 57. Pra, me qeverinë e VV-së Kosova ka pësuar rënie nga vendi i 54 në vendin e 57 në botë. Është e çuditshme se si kjo qeveri regresin e quan progres!” ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti tjetër i LDK-së, Besian Mustafa, po ashtu e ka quajtur propagandë mburrjen e Qeverisë.

“Kur nuk dinë të punojnë, kur nuk e kanë asnjë rezultat pune, i lëshohen propagandës, ‘hajt se i han populli foret’”, ka shkruar ai.