Deputetë të partive opozitare kanë refuzuar të bëhen pjesë e punimeve në komisionet parlamentare të mërkurën, duke thënë se s’do të marrin pjesë në votimin e asnjë projektligji deri sa pushteti t’i hapë rrugë komisionit hetimor për energjinë.
Të martën, nuk u fut në rend kërkesa e opozitës që të formohet komisioni hetimor parlamentar. Kërkesa u konsiderua e papranueshme nga pushteti. Nga opozita e kanë cilësuar shkelje të Kushtetutës veprimin e pushtetit dhe paralajmëruan bojkotimin, që e kanë nisur qysh të mërkurën.
Si pasojë, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane, ku ka qenë e paraparë të raportonte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në deklarimin për bojkot, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se s’do të marrë pjesë në votimin e asnjë projektligji pa miratimin e komisionit hetimor.
“Me këtë qasje arrogante të Qeverisë nuk do të marrim pjesë në votimin e asnjë projektligji pa i hapur rrugë komisionit hetimor”, është shprehur ajo.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka përdorur të njëjtin arsyetim, e ngjashëm veproi edhe Rrezarta Krasniqi e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ministrja Haxhiu gjatë largimit nga komisioni ka thënë se në të kaluarën “ka qenë e vështirë që të vinin ministrat në raportim, por tash deputetët s’po pajtohen”.
Me bojkot u përball edhe Komisioni për Legjislacion që dështoi në mungesë të kuorumit.
Partitë opozitare po duan themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, si dhe punësimet e fundit në KEK.