Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita kushtëzon votën për buxhetin e vitit 2019

Foto: freeimages.com / ilustrim

Miratimi i buxhetit për vitin 2019 pritet të jetë një nga sfidat e radhës për Qeverinë e Kosovës, ngase opozita nuk premton se do të votojë projektligjin e propozuar për buxhetin.

Shqyrtimi i parë i këtij projektligji është paraparë të paraqitet në seancën e Kuvendit të Kosovës më 6 dhjetor.

Por, deputetët e partive opozitare nuk japin shumë shpresë se do të votojnë për miratimin në parim të buxhetit.

Subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do të votojë projektbuxhetin, kurse Lëvizja Vetëvendosje thotë se nëse nuk përmirësohen disa nga mangësitë buxhetore, nuk do ta mbështesë në formën aktuale të propozuar.

Përderisa subjekti tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Naser Osmani, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, thotë se nuk do votojnë buxhetin, pasi sipas tij, projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është projektuar në mënyrë të duhur, është ngarkuar me skema sociale dhe është i ndarë në baza rajonale.

“Lidhja Demokratike nuk e mbështet një buxhet të tillë, sidomos një buxhet që është bërë me ndarje buxhetore të lokaliteteve prej nga vijnë zyrtarët e Qeverisë. Ka shumë pak projekte në investime kapitale në komunat ku udhëheqë LDK-ja. Dhe kjo vërehet në shpërndarjen jo të drejtë që është bërë dhe me këtë shpërndarje ata e kanë prishur edhe formulën e granteve që është një formulë që shpërndahet në mënyrë proporcionale në bazë të disa kritereve”, tha Osmani.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

Artikuj të ngjashëm