Presidenti i Kosovës këmbëngul për arritjen e konsensusit politik për dialogun Kosovë-Serbi, raporton KTV.
Nga zyra e të parit të shtetit thonë se kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur interesin e shtetit.
Opozita vazhdon të kundërshtojë emrin e Hashim Thaçit si prijës në fazën e fundit të dialogut, derisa KDI-ja i ka bërë thirrje Kuvendit që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.
Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, derisa i vështirë duket konsensusi politik për emrin që do të prijë në këtë proces.
Qeveria e Kosovës, përmes platformës për fazën finale të dialogut, i ka dhënë mandat presidentit Hashim Thaçi, porse i njëjti duhet të marrë miratimin nga deputetët e Kuvendit.
Në Presidencë kanë thënë se nuk duhet të humbet energji duke ngritur dilema se kush duhet ta udhëheqë këtë fazë, sepse nuk është proces i përgatitur për një individ apo liderë të caktuar.
Këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku, thotë se mënyra më e mirë për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin shtetëror është ndërtimi i konsensusit të gjerë politik.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka një fillim, një rrjedhë logjike dhe akterët kryesorë të përfshirë nuk janë aspak të rastësishëm. Në çdo rrethanë, presidenti do t’i respektojë obligimet e veta kushtuese dhe me këmbëngulje do të ftojë dhe punojë me të gjithë akterët për ndërtimin e këtij konsensusi të gjerë, sepse jemi të bindur se kështu do të jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur interesin tonë shtetëror dhe nacional.”
Por, pavarësisht thirrjes nga presidenti, opozita nuk pajtohet me emrin e Thaçit prijës në këtë proces.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka kujtuar rolin formal që ka presidenti, duke u bazuar në komentarin e Kushtetutës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar sesi do të veprojë me emrin e presidentit, dhe nëse do ta mbështesë atë, por një ditë më herët përmes një postimi në Facebook, nënkryetari Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti do të jetë unike sikur në rastin e fundit kur e ndërtoi unitetin e saj për të votuar ligjin për ratifikimin e demarkacionit.
Për Vetëvendosjen është e papranueshme qasja e LDK-së, derisa kanë thënë se do ta bëjnë maksimumin që platforma e qeverisë të mos kalojë në Kuvend.
Megjithatë, deputetë të LDK-së i kanë thënë televizionit se kjo parti veç ka vendosur që të mos e mbështes Thaçin si prijës në fazën finale të dialogut me Serbinë.
Ndërkohë, KDI-ja ka kërkuar që Kuvendi të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për dialogun Kosovë Serbi.
Jeta Krasniqi ka thënë se Kuvendi duhet t’i japë legjitimitet ekipit negociues.
Derisa, vazhdimisht janë përmendur kompromise të reja me Serbinë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka mohuar se diskutohet për resurset shtetërore.
Ditë më parë, “Koha Ditore” pati raportuar se dy nga resurset më të mëdha të Kosovës Trepça e Gazivoda, ishin përfshirë në diskutimet e Ekipit Menaxhues në kuadër të hartimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.