Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria e do rolin prijës në dialog

Foto: Koha

Qeveria e Kosovës po i vazhdon përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka prezantuar në vazhdimësi një pozicion ndryshe me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kundërshtuar sidomos idenë për ndryshimin e kufirit, e cila kishte dalë si ide nga dy akterët kryesorë të bisedimeve në Bruksel, përkatësisht nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator.

Endrit Shala, nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është propozuar si udhëheqës i ekipit, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë unitet nga të gjitha subjektet politike për dialogun me Serbinë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se për çështjen e dialogu nuk duhet të ketë ndarje midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Aktualisht, Qeveria Haradinaj po mbështetet nga dy parti opozitare, Partia Socialdemokrate e cila ka 12 deputetë në Kuvend dhe Alternativa për Kosovën, që përfaqësohet nga dy deputetë.

Edhe Haradinaj insiston në gjithëpërfshirje për dialog Arbëri Haradinaj insiston në gjithëpërfshirje për dialog

Po ashtu, Haradinaj ka marrë edhe konfirmimin e një pjese të shoqërisë civile për angazhim në dialog, nëse ndërkohë arrihet të krijohet një konsensus i gjerë politik. Por, nisma e Haradinajt, nuk e ka mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy të fundit, po insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe dialogu të udhëhiqet nga institucionet e reja që do të dalin më pastaj.

Më gjerësisht lexoni në REL.